Një incident i ri sigurie ka tronditur Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi një predhë e paidentifikuar ka goditur një tanker tregtar gjatë lundrimit, konfirmoi sot Agjencia e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
Sipas njoftimit zyrtar, anija e sulmuar ka pësuar dëmtime në urën e komandimit.

Fatmirësisht, të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë shpëtuar pa lëndime dhe aktualisht ndodhen në siguri.
UKMTO bëri të ditur se pas goditjes nuk është raportuar ndotje e detit, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë duke vazhduar.
Ky sulm vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve dhe përplasjeve të reja ushtarake në rajon, të cilat nisën vetëm disa orë më herët.
Shtetet e Bashkuara kryen gjatë natës sulme të gjera ajrore në bregdetin jugor të Iranit, duke goditur pozicione ushtarake iraniane.
Pentagoni konfirmoi zyrtarisht se gjatë operacionit u goditën sisteme raketore dhe radarësh të Iranit, si dhe baza të dronëve pa pilot.
Sulmet ishin një përgjigje direkte e Uashingtonit ndaj sulmit iranian me dron kundër anijes së kontejnerëve Ever Lovely, e cila lundron nën flamurin e Singaporit. /Telegrafi/





