Familja e këngëtarit Oliver Tree ka bërë të ditur se trupi i artistit është rikthyer në Shtetet e Bashkuara, një javë pasi ai humbi jetën në një aksident tragjik me helikopter në Rio de Janeiro të Brazilit, ku mbetën të vdekur gjithsej gjashtë persona.
Në një mesazh prekës të publikuar në Instagram, familjarët njoftuan se artisti 32-vjeçar tashmë ndodhet në Kaliforni, ku do të prehet përgjithmonë.
“Oliver tani është kthyer në Kaliforni, ku më në fund mund të pushojë. Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, thuhej në deklaratë, shkruan DailyMail.
Familja falënderoi të gjithë ata që kanë dërguar mesazhe ngushëllimi dhe kanë bërë homazhe për këngëtarin, duke theksuar se mbështetja e fansave po i ndihmon të përballojnë këtë periudhë të vështirë.
Në aksident humbën jetën edhe ylli i YouTube Gaspar “Gaspi” Prim, regjisori Lucas Vignale, producenti Lucas Brito Chaves dhe dy pilotët Charles Marsillac dhe Alexandre Souza.
Në të njëjtën deklaratë u zbulua edhe amaneti i fundit i Oliver Tree. Sipas familjes, artisti kishte lënë të përcaktuar në testament krijimin e fondacionit “Dr. Oliver Tree’s Extremely Epic Grant for Baby Geniuses”, një projekt filantropik që synon të mbështesë talentet e reja dhe të përhapë më shumë gëzim, dashuri dhe art në botë.
“Do të sigurohemi që dëshira e tij të bëhet realitet. Kjo ishte dëshira e tij e fundit”, shkruan familjarët, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “Oliver do të ishte krenar për të gjithë mbështetësit, miqtë dhe familjen e tij. Paqja qoftë me Oliverin”. /Telegrafi/






