Mbi 19 mijë maturantë i janë nënshtruar sot provimit të maturës në 152 qendra të testimit në gjithë vendin. Ky test mat njohuritë e arsimit parauniversitar deri në klasën e 12-të. Gjatë ditës u raportua se janë shpërndarë përmes internetit pyetjet e testit.
Mbi 19 mijë e 500 nxënës iu nënshtruan pjesës së parë të testit të maturës shtetërore, në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin. Testi i cili ka filluar në orën 10:00, u administrua nga 1360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve.
Testi u mbajt edhe në gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” në kryeqytet.

“Aktualisht i kemi nëntë klasë që janë nga 15 nxënës, të shkollave të ndryshme të Prishtinës, të shkollës sonë ka më së pakti që janë .13 shkolla të mesme të Prishtinës, janë të vendosur këtu”, tha Haxhi Metaj nga Gjimnazi shoqëror “Ahmet Gashi”.
“Jam përgatitur pak a shumë, jo shumë, sepse nuk kam dashur ta stresoj veten”, tha nxënësja Urta Dervishaj.
“Shpresoj ta kaloj testin dhe të arrij rreth 80 pikë. Jemi munduar dhe shpresojmë për rezultat të mirë”, tha një nxënës.
Edhe në gjimnazin “Sami Frashëri”, para testit, nxënësit kishin ardhur e prisnin orën 10:00 për t`u futur në klasa.
“Jemi përgatitur dhe shpresojmë se do ta kalojmë me sukses”, tha një nxënës i kësaj shkolle.
Pak orë pas përfundimit të provimit, për mbarëvajtjen e gjithë procesit, foli Fatmir Elezi nga Ministria e Arsimit, i cili tha se procesi ka shkuar mirë, derisa përmendi disa raste të përjashtimit për shkak të përdorimit të telefonit.
“Procesi ka përfunduar me sukses dhe tani pritet të vijnë materialet në qendër dhe fillimi i leximit të fletë përgjigjeve”, tha ai.
Ky test është zhvilluar brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët, përderisa përmban 100 kërkesa, përkatësisht nga 25 kërkesa për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati/ja./RTK





