Legjenda e Brazilit dhe e Barcelonës, Ronaldinho, ka nënshkruar me klubin italian të Serie C, Ravenna, duke dalë kështu nga pensionimi.
Sipas raportimeve të Gazzetta, 46-vjeçari do të prezantohet në një event special në Miami më 23 qershor, megjithatë ende nuk është e qartë nëse ai do të luajë realisht për klubin në sezonin e ardhshëm.
“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të vallëzoj sërish me topin dhe të shkruaj një histori të re së bashku me Ignazion dhe gjithë familjen Cipriani”, është shprehur Ronaldinho.
“Futbolli gjithmonë ka qenë një burim gëzimi për mua dhe dua ta sjell të njëjtin shpirt te Ravenna”, shtoi ai.
Ronaldinho i dha fund karrierës së tij profesionale pas një periudhe të shkurtër te Fluminense në vitin 2015 dhe që atëherë nuk ka zbritur më në fushë.
Pronari i klubit, Ignazio Cipriani, foli për këtë transferim dhe shprehu admirimin e tij të madh për ish-mesfushorin, të cilin e konsideron idhull.
“Ai ka qenë idhulli im që nga fëmijëria dhe ndikimi i tij në futboll shkon përtej lojës. Përveç asaj që sjell në klub, shpresoj që përfshirja e tij të frymëzojë një gjeneratë të re tifozësh që të dashurohen me Ravennan dhe të bëhen pjesë e projektit tonë për të ardhmen”, tha Cipriani.
Ravenna ka qenë më parë shtëpia e disa emrave të mëdhenj të futbollit italian si Christian Vieri, Fabio Cannavaro, Alberto Gilardino dhe Vincenzo Montella, ndërsa tani kësaj liste i shtohet edhe Ronaldinho./Telegrafi/






