“Tre luanët në fanellë, Jules Rimet ende shkëlqen” janë vargje të njohura që dëgjohen sa herë që rritet entuziazmi rreth synimeve të Anglisë në turnetë e mëdha. Por simboli i “Tre Luanëve” ka një histori më të thellë se sa mendohet zakonisht.
Në prag të Kupës së Botës 2026, ku Anglia e drejtuar nga Thomas Tuchel do të përballet me Kroacinë në një ndeshje të fortë në grup, janë zbuluar detaje të “fshehura” të stemës së Kombëtares angleze.
Sipas raportimeve, secili nga tre luanët ka një kuptim të veçantë historik, të lidhur me monarkinë angleze.

Luani i parë lidhet me Mbretin Henry I, i njohur si “Luani i Anglisë”, i cili sundoi nga viti 1100 deri në 1135 dhe ishte i pari që shtoi simbolin e luanit në Stemën Mbretërore të Anglisë.
Luani i dytë gjithashtu lidhet me Henry I, i cili shtoi një luan tjetër për të nderuar vjehrrin e tij, Godfrey I, Konti i Louvain, pas martesës së tij me Adeliza of Louvain në vitin 1121.
Luani i tretë u shtua rreth 30 vite më vonë nga Henry II, nipi i Henry I, i cili e bëri këtë për të nderuar familjen e bashkëshortes së tij, Eleanor of Aquitaine, në vitin 1154.
Stema mbretërore nuk ka ndryshuar më me shtimin e luanëve që nga ajo periudhë historike, pavarësisht se figura e luanit është përdorur shpesh në simbolet mbretërore gjatë shekujve.
Më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, u shtuan edhe 10 trëndafilat Tudor në emblemë. Këto trëndafila përfaqësojnë Shtëpinë Tudor dhe Luftën e Trëndafilave (1455–1487), dhe u vendosën në vitin 1948, kur u bashkuan 10 divizionet e anëtarëve të FA-së.
Sot, në fanellën e Anglisë përdoren së bashku tre luanët dhe dhjetë trëndafilat, simbol që do të mbajë edhe skuadra prej 26 lojtarësh në Kupën e Botës 2026./Telegrafi/





