Një përparim i madh është shënuar në hetimin e zhvilluar në Milano për të ashtuquajturit “snajperistë të fundjavës” në Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit dhe luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Karabinierët e ROS-it (Njësia për Operacione Speciale) kanë kryer një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari, të cilën hetuesit e kanë vlerësuar si “pozitive”. Operacioni çoi në sekuestrimin e materialeve që konsiderohen me vlerë të madhe si prova për hetimin.
Aksioni nisi mëngjesin e sotëm në shtëpinë e një 65-vjeçari që jeton në provincën e Alessandrias, njëri prej katër personave nën hetim, shkruan klix.ba.
Gjatë kontrollit, karabinierët gjetën dhe sekuestruan një armë me shurdhues, pajisje të veçanta teknike dhe, veçanërisht, një fotografi që konsiderohet “shumë e rëndësishme”, ku i dyshuari shihet me këto pajisje.

Burri nga Alessandria ishte marrë në pyetje edhe më herët nga hetuesit, por gjatë një përballjeje të tensionuar vendosi të përdorte të drejtën për të heshtur, duke shmangur përgjigjet ndaj pyetjeve të gjyqtarit.
Kontrolli i sotëm, i urdhëruar nga prokurori publik i Milanos, Alessandro Gobbis, dhe kryeprokurori Marcello Viola, nuk ishte i rastësishëm.
Ajo që e implikoi këtë person dhe u dha hetuesve detaje të dobishme për bastisjen e mëngjesit ishin dëshmitë e hollësishme të dhëna nga ish-bashkëshortja dhe ish-partnerja e tij.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo zbuloi se ai i kishte thënë se vuante nga makthe, sepse kishte vrarë njerëz në Bosnjë-Hercegovinë gjatë viteve ’90.
Hetimi i ROS-it vazhdon analizimin e materialeve të sekuestruara dhe verifikimin e përputhshmërisë teknike të shurdhuesit me armët e përdorura gjatë asaj periudhe.
Hetimi synon të hedhë dritë mbi të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”, një term që i referohet pretendimeve se shtetas të huaj paguanin për të shkuar në Bosnjë-Hercegovinën e përfshirë nga lufta dhe për të vrarë civilë në Sarajevë nga kodrat përreth qytetit, të cilat kontrolloheshin nga forcat agresore nën udhëheqjen e kriminelëve të luftës Ratko Mladiq, Radovan Karadxhiq dhe të tjerëve, me mbështetjen e Serbisë.
Çështja e të ashtuquajturave “safaritë njerëzore”, që dyshohet se kanë ndodhur gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri në 1995, u rikthye në vëmendje pas një kallëzimi të gazetarit Ezio Gavazzeni.
Sipas pretendimeve të hetimit, në atë kohë disa persona paguanin për të vrarë civilë, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë.
Mes këtyre “turistëve të vdekjes” dyshohet se kishte italianë, por edhe persona nga vende të tjera. /Telegrafi/





