A do të vijë në Kosovë ilaçi i ri për  pacientët me kancer pankreasi? Flet onkologu Ilir Kurtishi

shendetesi

Një ilaç i ri eksperimental, i cili sipas rezultateve të fundit ka arritur të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve me kancer të pankreasit, pritet të hyjë fillimisht në përdorim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe më pas në vendet evropiane. Por a do të kenë qasje në këtë terapi edhe pacientët në Kosovë? […]

Madhësia e shkronjave

Një ilaç i ri eksperimental, i cili sipas rezultateve të fundit ka arritur të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve me kancer të pankreasit, pritet të hyjë fillimisht në përdorim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe më pas në vendet evropiane.

Por a do të kenë qasje në këtë terapi edhe pacientët në Kosovë?

Pikërisht për këtë zhvillim foli onkologu, Ilir Kurtishi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, duke theksuar se edhe Kosova mund të përfitojë nga ky medikament pasi të kalojë procedurat e nevojshme ndërkombëtare dhe vendore.

“Jo vetëm Kosova, por edhe vendet e Ballkanit dhe Evropës do t’u nënshtrohen procedurave të caktuara. Së pari, bari duhet të ketë certifikim sipas standardeve evropiane dhe aprovimin e EMA-s, e më pas të kalojë hallkat e nevojshme në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Kurtishi.

Sipas tij, ilaçi ka përfunduar me sukses fazën e tretë të studimeve klinike dhe rezultatet e publikuara në Kongresin Amerikan të Onkologjisë (ASCO) kanë tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor në mbarë botën.

Kurtishi shpjegoi se terapia është testuar te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit, të cilët kishin shteruar opsionet standarde të trajtimit me kimioterapi.

“Përdorimi i tij e dyfishon jetën te pacientët të cilëve u është ndalur trajtimi me kimioterapi. Ata që e kanë përdorur këtë bar kanë jetuar së paku gjashtë deri në nëntë muaj më shumë sesa pacientët që nuk e kanë marrë”, deklaroi ai.

Onkologu bëri të ditur se studimi ka përfshirë rreth 500 pacientë dhe se rezultatet janë konsideruar aq domethënëse sa kanë marrë ovacione nga mijëra specialistë të onkologjisë të pranishëm në kongres.

Ai theksoi se qëllimi është që Kosova të mos mbetet prapa zhvillimeve moderne në trajtimin e sëmundjeve malinje dhe pacientët të kenë qasje në terapitë më të avancuara që ofron mjekësia bashkëkohore.

“Është e rëndësishme që Kosova të jetë në hap me trajtimet moderne dhe barnat që tregojnë rezultate të mira për pacientët”, tha Kurtishi.

Sipas tij, nëse medikamenti merr miratimet përkatëse nga autoritetet amerikane dhe evropiane, atëherë do të hapet rruga që ai të shqyrtohet edhe për përfshirje në listat e barnave që përdoren në Kosovë, duke sjellë një mundësi të re për pacientët që përballen me një nga format më agresive të kancerit.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”: