Përballë një lufte për ndryshim regjimi, Teherani e sheh si një fitore të qartë aftësinë e tij për të ruajtur sistemin qeverisës.
Nga: Mahjoob Zweiri / Al Jazeera Përkthimi: Telegrafi.com
Kanë kaluar 100 ditë qëkur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin në një fushatë të koordinuar që synonte ndryshimin e regjimit. Që nga prilli, në fuqi ka qenë një armëpushim i brishtë, i cili është shkelur rregullisht me shkëmbime zjarri. Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, ndërsa luftimet në Liban vazhdojnë.
Në këtë pikë, paqja mbetet e paarritshme, pasi objektivat e të dyja palëve mbeten të papërmbushura. Qëllimi i Uashingtonit dhe Tel-Avivit nuk ka qenë vetëm eliminimi i programit bërthamor iranian, por edhe dobësimi i aparatit iranian të sigurisë dhe atij ushtarak, duke krijuar kështu hapësirë për ndryshim të brendshëm politik.

Për Teheranin, objektivi kryesor ka qenë ruajtja e sistemit qeverisës dhe garantimi i vazhdimësisë së tij – pavarësisht kostos. Në këtë kuptim, ai e sheh veten si palën që ka epërsinë.
Lufta ka marrë jetën e më shumë se 3 400 qytetarëve iranianë, përfshirë dhjetëra drejtues të lartë në sferat politike dhe ushtarake. Ajo e ka bërë të qartë se Irani nuk është në gjendje të mbrojë udhëheqjen, arsenalin e apo programin e vet bërthamor.
Brenda dy javëve të para të konfliktit, sulmet iraniane me raketa dhe dronë u pakësuan me 90 përqind, pasi operacionet amerikane dhe izraelite shkatërruan lëshuesit më shpejt sesa mund të zëvendësoheshin – duke nxjerrë kështu në pah kufizimet e kapacitetit parandalues të zhvilluar gjatë dy dekadave.
Programi bërthamor, veçse i dëmtuar gjatë luftës 12-ditore në vitin 2025, u godit prej sulmeve të tjera. Infrastrukturat civile dhe objektet energjetike gjithashtu u dëmtuan ose u shkatërruan. Ekonomia, e cila veçse po vuante para fillimit të luftës, pësoi një tjetër rënie.
Ndërkohë, vazhdon të dobësohet rrjeti i forcave aleate që Teherani ka kultivuar në mbarë rajonin. Duke goditur objektet në shtetet e Gjirit që strehojnë forca amerikane, Irani i ka larguar edhe më shumë fqinjët me të cilët kishte tentuar të angazhohej në të kaluarën.
Por, lufta ka sjellë gjithashtu humbje të konsiderueshme për kundërshtarët e Iranit. Raketat dhe dronët iranianë goditën disa baza amerikane në rajon, duke treguar kufijtë e mbrojtjes amerikane.
Shtetet e Gjirit u përfshinë në një konflikt të cilin nuk e kishin kërkuar dhe u sulmuan në territorin e tyre. Garancitë e sigurisë mbi të cilat mbështetet afërsia e tyre me Uashingtonin, duken më pak të besueshme se më parë.
Kështu, efekti më i qëndrueshëm i luftës mund të jetë më pak dëmtimi i kapaciteteve të Iranit sesa pasiguria e futur në arkitekturën rajonale të sigurisë.
Nga dobësia ushtarake te ndikimi ekonomik
Brenda pak ditësh pas sulmeve amerikano-izraelite, Irani filloi të kufizonte trafikun detar nëpër Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror që transportohen në rrugë detare në botë.
Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me një fushatë ajrore në mars, për të rihapur këtë rrugë ujore, dhe, në prill, vendosën një bllokadë detare ndaj porteve iraniane. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ngushtica mbetet e mbyllur. Vetëm disa anije, të miratuara nga Irani, janë lejuar të kalojnë.
Vështirësitë diplomatike e kanë ndërlikuar më tej situatën ushtarake. Kur Uashingtoni kërkoi ndihmë nga NATO dhe partnerët e saj evropianë e aziatikë për të siguruar këtë rrugë, ata refuzuan. Qeveritë evropiane e cilësuan konfliktin si diçka jashtë fushës së tyre të përgjegjësisë.
Për Teheranin, ky rezultat tregoi se fuqia që goditi në zemër të shtetit iranian nuk ishte në gjendje të mobilizonte aleatët e saj për të rihapur qoftë edhe një korridor të vetëm lundrimi. Prandaj, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit interpretohet në Iran jo vetëm si një mjet presioni ekonomik, por edhe si një dështim politik dhe strategjik për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke shërbyer si dëshmi se strategjia e imponimit të kostove ndaj kundërshtarëve të tij është efektive.
I inkurajuar nga kjo situatë, Irani ka refuzuar kërkesat amerikane për dorëzim pa kushte dhe ka vazhduar negociatat në vend që të kapitullonte. Mbështetja e vazhdueshme nga Rusia dhe Kina, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, i ka mundësuar Teheranit ta paraqesë luftën si pjesë të një gare më të gjerë mbi rendin ndërkombëtar dhe jo si një konflikt të izoluar.
Në frontin e brendshëm, Republika Islamike ka arritur të ruajë stabilitetin duke demonstruar vazhdimësi. Pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, djali i tij, Mojtaba, u emërua pasardhësi i tij brenda pak ditësh. Edhe pse mungesa e zgjatur e udhëheqësit të ri nga daljet publike shtron pyetje të tjera, Republika Islamike ka qenë në gjendje të ruajë perceptimin e stabilitetit dhe kohezionit.
Sipas standardeve të veta, Teherani e sheh veten si palën me epërsi. Në këndvështrimin e udhëheqjes së tij, ajo që ka rëndësi është pamundësia e kundërshtarëve për të rrëzuar sistemin qeverisës; të gjitha humbjet e tjera konsiderohen të rikuperueshme për sa kohë që Republika Islamike mbijeton.
Irani tani duket se kërkon ta shndërrojë mbijetesën në një rivendosje të pjesshme të pozitës së tij rajonale, veçanërisht duke lidhur çdo zgjidhje të konfliktit me përfundimin e luftës në Liban. Ai dëshiron ta pozicionojë veten si pjesëmarrës në uljen e tensioneve rajonale.
Objektivi është të ndalet erozioni i ndikimit gjatë viteve të fundit, veçanërisht humbja e pozitës së tij në Siri, dhe të shndërrohet ndikimi i mbetur në një vazhdimësi të rëndësisë së tij politike.
Megjithatë, dështimi i kapacitetit të tij parandalues ushtarak konvencional, ka përforcuar brenda udhëheqjes iraniane argumentin se vetëm një kapacitet bërthamor do të kishte mundur t’i parandalonte sulmet amerikano-izraelite.
Kjo perspektivë e bën çështjen bërthamore më të vështirë për t’u zgjidhur dhe, rrjedhimisht, mund t’i ndërlikojë negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Në planin e brendshëm, lufta ka zhvendosur përkohësisht pakënaqësitë ekonomike dhe ato që lidhen me qeverisjen – të cilat nxitën protestat gjatë dimrit – duke i zëvendësuar ato me një retorikë të përqendruar te kërcënimet e jashtme dhe rezistenca kombëtare.
Udhëheqja politike dhe aparati i sigurisë e shohin situatën e brendshme ndryshe: e para është e vetëdijshme për dështimet në qeverisje të cilat nxorën në pah protestat, ndërsa i dyti priret ta shohë mospajtimin e brendshëm dhe presionin e jashtëm si një kërcënim të vetëm ekzistencial. Kjo mospërputhje, po aq sa vetë lufta, do të përcaktojë drejtimin që do të marrë politika e brendshme: drejt më shumë represioni ose drejt pajtimit dhe rimëkëmbjes.
Mbeten disa pyetje pa përgjigje: A mundet një udhëheqje që e barazon mbijetesën e regjimit me fitoren të arrijë një paqe të qëndrueshme? Apo do të arrijë në përfundimin se vetëm një qasje më e vendosur dhe potencialisht arma bërthamore mund t’ia garantojnë të ardhmen? Njëqind ditët e ardhshme mund të na japin përgjigjet. /Telegrafi/




