Milani mbeti jashtë Ligës së Kampionëve pas humbjes 1:2 ndaj Cagliarit në “San Siro”, në javën e fundit të Serie A. Falë fitoreve të Romës dhe Comos, kuqezinjtë ranë në vendin e pestë dhe sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Evropës.
Luka Modric hyri në lojë në minutën e 61-të dhe mediat italiane raportojnë se kjo mund të ketë qenë ndeshja e tij e fundit me Milanin.
Kroati iu bashkua klubit në verën e vitit 2025 si lojtar i lirë pas largimit nga Real Madridi. Në moshën 40-vjeçare, ai zhvilloi 37 ndeshje, shënoi dy gola dhe dha tre asistime.
Sipas mediave italiane, kushti kryesor i Modric për të qëndruar ishte kualifikimi në Ligën e Kampionëve, ndërsa e paqartë mbetet edhe e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri.
Gazetari Nicolo Schira raportoi se drejtuesit do të diskutojnë në ditët në vijim për Allegrin dhe projektin sportiv, ndërsa Tuttomercato shkroi se Milani po përballet me një “revolucion” pas dështimit për Champions.
Përveç Modricit, në pikëpyetje janë edhe drejtuesit Giorgio Furlani, Massimo Calvelli dhe Igli Tare, ndërsa raportohen tensione brenda klubit. Madje, Zlatan Ibrahimovic u largua menjëherë nga stadiumi pas humbjes ndaj Cagliarit.
Sipas Tuttomercato, do të ishte surprizë nëse Modric do të qëndronte në “San Siro”. Media italiane shton se gjatë verës mund të largohen edhe Rafael Leao, Christian Pulisic, Santiago Gimenez, Niclas Fullkrug, Christopher Nkunku dhe Mike Maignan.
Ndërkohë, Modric pritet ta udhëheqë Kroacinë si kapiten në Kupën e Botës që nis më 11 qershor, ndërsa mbetet e paqartë nëse do ta vazhdojë karrierën apo do t’i japë fund futbollit aktiv./Telegrafi/






