Guardiola zbulon mesazhin emocionues që mori nga Ferguson

Sport

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se ka marrë një mesazh urimi nga legjenda e futbollit anglez, Sir Alex Ferguson, një gjest që e ka emocionuar në prag të largimit të tij nga “Etihad”. Në konferencën e tij të fundit për media, Guardiola tregoi se mesazhi i Fergusonit kishte një domethënie të veçantë […]

Madhësia e shkronjave

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se ka marrë një mesazh urimi nga legjenda e futbollit anglez, Sir Alex Ferguson, një gjest që e ka emocionuar në prag të largimit të tij nga “Etihad”.

Në konferencën e tij të fundit për media, Guardiola tregoi se mesazhi i Fergusonit kishte një domethënie të veçantë për të.

“Një nga komplimentet më të mëdha që kam marrë ishte se mora një mesazh nga Sir Alex Ferguson dje. Kjo më bëri shumë të lumtur”, deklaroi trajneri spanjoll.

I pyetur për përmbajtjen e mesazhit, Guardiola tha se ish-trajneri i Manchester United e kishte përgëzuar për rrugëtimin dhe sukseset e arritura gjatë periudhës së tij në krye të Cityt.

“Urime për rrugëtimin dhe për gjithçka që kemi arritur. Kjo do të thotë shumë për mua”, tha Guardiola.

Me humor, ai shtoi se kishte pak vështirësi për ta kuptuar theksin skocez të Fergusonit, por zbuloi se planifikon ta telefonojë për t’i kthyer përgjigje.

Marrëdhënia mes dy trajnerëve ka kaluar nga rivaliteti në respekt të ndërsjellë. Ferguson dikur e kishte quajtur Manchester Cityn “fqinjët zhurmues”, por Guardiola beson se sot klubi i tij shihet thjesht si “fqinjët” në sytë e trajnerit legjendar.

Dy emrat e mëdhenj të futbollit janë përballur edhe në finalet e Ligës së Kampionëve në vitet 2009 dhe 2011, kur Barcelona e drejtuar nga Guardiola mposhti Manchester United.

Në atë kohë, Ferguson e kishte cilësuar skuadrën e Guardiolës si më të mirën me të cilën ishte përballur ndonjëherë. /Telegrafi/