Termi mësues ka tingëlluar vazhdimisht në jetën e shoqërisë dhe brez pas brezi është përdorur kurdoherë me nderim, mirënjohje dhe respekt të veçantë. E një vlerësim i tillë pa dyshim bazohet në përgjegjësinë dhe misionin që ka profesioni i mësuesit. Madje, do të thosha që pikërisht për këtë përgjegjësi dhe mision që ka, emri mësues ka mjaft peshë në jetën shoqërore.
Mësuesi është ai që me mjeshtërinë e tij profesionale dhe pedagogjike përgatit brezin e ri, brezin e së ardhmes së një kombi dhe përmes dijeve shkencore që u jep, i bën ato të qëndrueshme tek ai (brezi), por jo vetëm dije shkencore, por kultivon edhe normat edukative në mënyrat e sjelljes së brezit të ri, që nesër kur të dalë në jetë, të ketë një formim të tillë, për të qenë i denjë për t’i shërbyer së pari vetes së tij dhe më pas familjes, shoqërisë dhe kombit të vet.
E, sigurisht, cilësia e brezit që përgatit mësuesi do të varet nga niveli i tij, në mënyrën se s’i ai i shpalos dhe përmbush parametrat që i dikton profesioni i tij për misionin dhe përgjegjësinë që ka në edukimin e brezit. Është kjo pra arsyeja që figura e mësuesit nisur nga misioni që ka, ka mbetur historikisht një figurë e nderuar dhe e respektuar në shoqëri. Por, ama emrin mësues duhet ta meritosh për vlerat shumëdimensionale që ka profesioni i tij.
Në kuadrin e problematikës që diktojmë, natyrshëm lind pyetja: për cilën gjeneratë apo brez mësuesish bëhet fjalë në këtë shkrim të radhës, që është vështirë të përsëriten?

Bëhet fjalë pikërisht për gjeneratën apo brezin e mësuesve që i përkasin periudhës së diktaturës komuniste, që sundoi në vendin tonë për afro pesë dekada.
Bëhet fjalë për mësuesit me vokacion, për ata që punuan me devotshmëri, përkushtim dhe përgjegjësi, bëhet fjalë për ata që kishin ego, sedër dhe ambicie profesionale. Bëhet fjalë për ata mësues që në profesionin e tyre si mësimdhënës dhe edukator shpalosën metoda dhe strategji të tilla, që dijet shkencore që u transmetonin nxënësve, ua bënin të qëndrueshme gjatë gjithë jetës së tyre. Bëhet fjalë për atë gjeneratë mësuesish, që me sjelljet dhe njohuritë që u jepnin nxënësve në procesin mësimor-edukativ, ua bënin atyre (nxënësve) të dashur mësimin dhe shkollën që frekuentonin. Sot kemi mjaft mësues të dalë në pension që i përkasin brezit për të cilin bëhet fjalë e një pjesë e tyre kanë ndërruar edhe jetë, por emrat e tyre kujtohen me respekt, dashuri dhe mirënjohje nga ish-nxënësit e tyre lidhur me vlerat që treguan në ushtrimin e profesionit të nderuar të mësuesit. Duke folur për gjeneratën e mësuesve të kohës së diktaturës komuniste në vendin tonë (tashmë të përmbysur), gjej rastin të kujtoj edhe unë mësuesit e mi të mirënjohur, të respektuar dhe të nderuar. Të tillë ishin mësuesit: Stefan Bulo, Ibrahim Gashi, Pandeli Lena, Uran Butka, shkrimtarin Gjergj Zhej dhe Luan Bajo.
Me këta mësues u përballa për shumë vite kur isha nxënës i tyre. Prej këtyre mësuesve në lëndët mësimore apo disiplinat shkencore që më zhvilluan, mora dije të qëndrueshme, dije të cilat i mbaj mend edhe sot. Bie fjala për koncepte e njohuri nga shkenca e filozofisë, që ma zhvillonte mësues Stefani, koncepte e njohuri nga shkenca e matematikës dhe e astronomisë, që ma zhvillonte mësues Ibrahimi, njohuri nga shkenca e letërsisë që e zhvillonin mësues Urani dhe shkrimtari i mirënjohur Gjergj Zhej, koncepte dhe njohuri nga shkenca e kimisë dhe gjeografisë që ma zhvillonte mësues Pandeliu, koncepte dhe njohuri nga shkenca e historisë që ma zhvillonte mësues Luani. Sigurisht, nisur nga dijet e qëndrueshme që më kanë mbetur në kujtesën time, nga mjeshtëria profesionale dhe pedagogjike e këtyre mësuesve të mi që lartpërmenda, ndjeva obligimin për të shkruar disa radhë për secilin prej tyre për vlerat që treguan në profesionin e nderuar të mësuesit. Madje, dua të nënvizoj se figura dhe personaliteti i mësuesve të lartpërmendur, në pozicionin e tyre si mësimdhënës dhe edukator, reflektohej edhe në pamjen e tyre të jashtme (uniformën që prezantonin para nxënësve kur vinin për të zhvilluar mësim), pra edhe në këtë drejtim ata rrezatonin kulturë dhe edukim te nxënësit.
Specifikë tjetër e tyre në rolin e edukatorit të mirëfilltë, ishte edhe takti pedagogjik dhe gjuha e mirëkuptimit që tregonin në drejtim të këshillave dhe qortimeve që u bënin nxënësve, në rastet kur u konstatonin atyre të meta dhe mangësi në drejtim të asimilimit të njohurive për lëndët mësimore që u zhvillonin apo për ndonjë sjellje të pahijshme të nxënësve në mjediset e shkollës, që binte në kundërshtim me normat e edukimit që u takonin nxënësve. Autoriteti, respekti dhe mirënjohja e mësuesve të gjeneratës që bëhet fjalë, që i prezantova si model në drejtim të figurës së mësuesit për profesionalizmin që i karakterizonte, ndjehej jo vetëm në komunitetin shkollor, por edhe në komunitetin jashtëshkollor. Sigurisht, nisur nga dijet e qëndrueshme shkencore që më kanë mbetur edhe sot në kujtesën time, nga puna pasionante e mësuesve të mi të lartpërmendur në lëndët mësimore që më zhvilluan, si dhe nga normat e edukimit shumë të nevojshme për jetën që ata kanë kultivuar tek unë, bëjnë që të ndjej nostalgjinë edhe sot për këta mësues sa herë që i kujtoj. Por dua të theksoj se nostalgjia dhe opinioni që unë shpreha për këta mësues, nuk është vetëm personale, por tek i gjithë brezi i nxënësve që së bashku me mua u arsimuan, u shkolluan dhe u edukuan nga puna dinjitoze e përkushtuar dhe pasionante e këtyre mësuesve.
Cilësitë dhe vlerat e kësaj gjenerate mësuesish, padyshim u dedikohen edhe vlerave dhe meritave të shtetit të asaj kohe (shtetit të diktaturës komuniste), që për të mos i hyrë në hak ai shtet arsimin dhe figurën e mësuesit në drejtim të vlerësimit, i jepte shumë prioritet se sa shteti i sotëm demokratik, nëse do të bëjmë krahasimet në shumë parametra që matin vlerat e arsimit. E nëse flitet për vlerësimin e figurës së mësuesit të kohës së diktaturës, mësuesi njihej si një figurë e nderuar dhe kishte tjetër vlerësim në shoqëri, lidhur me punën dhe profesionin që ushtronte, përfshirë këtu edhe pagën që merrte mësuesi i asaj kohe. Madje, në shtetin e asaj kohe për mbrojtjen e figurës dhe personalitetit të mësuesit, funksiononte edhe një status (rregullore) i veçantë, që mësuesi të ndjehej mirë dhe i qetë lidhur me detyrën dhe misionin që kishte. Në kohën e diktaturës, askush nuk mund të cenonte figurën e mësuesit, jo vetëm kur ai ishte brenda shkolle (kur ishte në detyrë dhe ushtronte profesionin), por edhe jashtë shkollës (kur ai e kish mbaruar procesin mësimor-edukativ në punën me nxënësit). Cilido në kohën e diktaturës e kishte të qartë se kush cenonte apo dhunonte figurën e mësuesit, kishte punë me shtetin.
Në vijimësi të shkrimit padyshim lind natyrshëm edhe pyetja tjetër: po mësuesit e sotëm në ç’nivel ndodhen në këto vite të tranzicionit demokratik shqiptar? Në do dish nivelin e sotëm të mësuesve lidhur me atë ç’ka prodhojnë në shkollat ku ata ushtrojnë profesionin e tyre në punën me nxënësit si mësimdhënës dhe edukator, rezulton se ata qëndrojnë larg, madje shumë larg gjeneratës së mësuesve të kohës së diktaturës, parë në shumë aspekte. E për këtë realitet brilant, flet niveli i nxënësve kur zhvillohen Provimet e Lirimit në Arsimin e Mesëm të Ulët, si dhe provimet e Maturës Shtetërore në Arsimin e Mesëm të Lartë. Gjithashtu realiteti për nivelin e ulët të nxënësve në Shqipëri, preket edhe kur është zhvilluar testi ndërkombëtar i radhës “PISA 2022” në matematikë, shkencë dhe lexim me nxënës të moshës 15-vjeçare, ku marrin pjesë vendet me sistem demokratik, ku tashmë angazhohet edhe Shqipëria si një vend me të njëjtin sistem. Shqipëria në këtë test, nisur nga rezultatet siç jemi në dijeni, radhitet pothuajse e fundit në listë.
Në vazhdimin e trajtimit të problematikës që diktojmë, pyetja tjetër e radhës që lind lidhur me cilësinë e dobët të mësuesve të sotëm në punën me nxënësit si mësimdhënës dhe edukator padyshim është: “Po përse janë të tillë mësuesit e sotëm”? Sepse mësuesit e sotëm janë pa formimin e duhur profesional, nisur nga mënyra se si janë arsimuar dhe se si janë diplomuar për profilin që kanë mbaruar, e në këtë drejtim kemi edhe mësuesve që e kanë blerë diplomën dhe nuk e kanë fituar atë në bazë të meritave. Një e keqe tjetër e madhe në ditët e sotme lidhur me vlerësimin e punës së mësuesit dhe përgjegjësinë që ka, është edhe mungesa e kontrolleve nga instancat eprore të arsimit.
Ky kontroll që funksionon sot është krejtësisht sporadik dhe jo si në kohën e diktaturës, kur kontrollet për synimin që kishin, gëzonin tjetër autoritet, nisur nga kompetencat që u kishin deleguar lidhur me kontrollet që bënin. Dua të nënvizoj se sa herë flasim për figurën e mësuesit në ditët e sotme dhe personalitetin e tij për misionin që ka, përgjegjësi dhe mëkatari kryesor është vetë shteti ynë i momentit ku mund të themi pa hezitim se nëpërkëmbja dhe shpërfillja e këtij sektori nga shteti ynë, ka qenë dhe vazhdon të jetë evidente në tërë këto vite të tranzicionit demokratik. Le të shërbejë ky shkrim i radhës nisur nga problematika e diktuar, si një nxitje dhe motiv për mësuesit e sotëm për të ndjekur udhën, shembullin dhe modelin e mësuesve të gjeneratës së lartpërmendur, në duan të fitojnë autoritetin, mirënjohjen dhe respektin e duhur nga nxënësit e tyre, prindërit e nxënësve si dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit ku ndodhet shkolla ku ata punojnë dhe ushtrojnë profesionin e tyre të nderuar, fisnik dhe human.





