Mediat amerikane kanë raportuar se miliarderi dhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, mund të jetë duke e nxjerrë në shitje megajahtën e tij “Koru”, i vlerësuar rreth 460 milionë euro.
Sipas Page Six, një burim pranë Bezos thotë se arsyeja kryesore është se jahti është shumë i madh dhe i vështirë për t’u menaxhuar.
Koru shoqërohet edhe nga jahti ndihmës “Abeona”, që vlerësohet rreth 69 milionë euro megjithëse nuk dihet nëse edhe ai do të përfshihej në një shitje të mundshme.

Sipas të dhënave të publikuara, mirëmbajtja e përbashkët e dy mjeteve kushton rreth 27.6 milionë euro në vit.
Burimi citon se Koru është bërë shumë i dallueshëm për Bezos, veçanërisht për shkak të disa detajeve të spikatura – si figura prej druri në pjesën e përparme të jahtit, që thuhet se paraqet Lauren Sanchez në formë sirene.
Dizajni i Koru është frymëzuar nga jahta “Eos”, në pronësi të mikut të Bezos, miliarderit Barry Diller, por është realizuar në përmasa shumë më të mëdha, gjë që ka sjellë edhe sfida logjistike.
Në 2023, The New York Times raportoi se Koru ishte shumë i madh për t’u ankoruar në Everglades, Florida, ndaj u detyrua të qëndronte pranë cisternave të naftës dhe anijeve të kontejnerëve.
Jahti shkaktoi polemika edhe në 2022, kur ndërtuesi holandez Oceanco duhej ta dorëzonte.
Pavarësisht kritikave dhe problemeve praktike, Koru ofron luks të jashtëzakonshëm: pishinë me fund xhami, tre xhakuzi, helikopter-port, një ekip prej 36 anëtarësh dhe kapacitet për 18 mysafirë.
Bezos dhe Sanchez kanë udhëtuar me të nëpër botë dhe kanë pritur shumë të famshëm, përfshirë: Oprah Winfrey, Kim Kardashian, Leonardo DiCaprio, Katy Perry dhe Usher. /Telegrafi/





