Pas incidentit të fundit në spektaklin Ferma VIP, rrjetet sociale janë ndezur jo vetëm ndaj banorit Adion, por edhe ndaj moderatores së emisionit, Arbana Osmani, e cila është bërë objekt kritikash të shumta në komente.
Gjithçka ka nisur pas përplasjes së fortë mes Adionit dhe Mimoza Ahmeti, ku u publikua një video me gjuhë fyese dhe tension të lartë brenda fermës.
Situata ka rikthyer në vëmendje edhe deklaratat e mëparshme të Arbanës në fillimet e formatit, kur ajo theksonte qartë se ofendimet nuk do të toleroheshin, duke përdorur shprehjen: “Është emision tjetër ai”, duke iu referuar Big Brother VIP Albania, të cilin ajo e kishte moderuar për vite me radhë.
Kjo deklaratë e saj është rikthyer në qendër të vëmendjes nga publiku, i cili duket se nuk e ka harruar.
Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë filluar ta etiketojnë Arbanën në postime dhe video të momentit të debatit, duke rikujtuar pikërisht shprehjen e saj “Është emision tjetër ai”, ndërsa në sfond shfaqet skena e Adionit duke ofenduar Mimoza Ahmetin dhe duke përdorur gjuhë të ashpër si: “Merre, se ta jap për fytyre, meçkë”.
Reagimet kanë qenë të përziera, por pjesa më e madhe e komenteve e kritikon faktin se, sipas tyre, standardet e vendosura në fillim të formatit nuk po zbatohen në situatat aktuale brenda fermës.
Disa ndjekës kërkojnë më shumë ndërhyrje nga produksioni, ndërsa të tjerë e konsiderojnë situatën si një test për mënyrën se si do të menaxhohen konfliktet në vazhdim.
Mbetet për t’u parë nëse ngjarja do të trajtohet në spektaklin e radhës “Prime”, si dhe nëse produksioni do të marrë masa disiplinore ndaj Adionit, përfshirë edhe mundësinë e përjashtimit të tij nga gara. /Telegrafi/






