Legjenda franceze Thierry Henry nuk i ka kursyer elozhet për talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, pas një tjetër paraqitjeje mbresëlënëse.
Duke folur për yllin në ngritje, Henry u shpreh: “Kjo është diçka unike dhe emocionuese për t’u parë”, tha Henry.
Ai bëri edhe një krahasim me Cristiano Ronaldo në fillimet e karrierës së tij.
“Kjo është ajo që bënte dikur një Cristiano Ronaldo i ri: fliste me besim në intervista dhe pastaj e vërtetonte në fushë”.
Francezi u impresionua veçanërisht nga mentaliteti i Yamalit.
“Ajo që më bën edhe më shumë përshtypje është mungesa e frikës nga ana e tij. Në një moshë kaq të re, ai luan me vetëbesim, kreativitet dhe pjekuri përtej moshës së tij”.
“Ai nuk fshihet, ai e kërkon topin dhe i bën gjërat të ndodhin kur kanë më shumë rëndësi. Kjo është shenja e një lojtari të veçantë”.
Në fund, ai shprehu bindjen e tij për të ardhmen e talentit spanjoll.
“Nëse ai vazhdon kështu, duke punuar shumë dhe duke qëndruar i përqendruar, ai ka gjithçka për t’u bërë një nga më të mirët në botë”, tha legjenda franceze. /Telegrafi/






