Nga tridhjetë e ca posta private, vetëm 2-3 plotësojnë kushtet për punë dhe të tjerat duhet të mbyllen, tha në emisionin “Biznis 21” në TV21, Nikollçe Ugrinov, zëvendësdrejtor i Postës së Maqedonisë.
Ugrinov tha se këto posta punojnë pa letra fiskale dhe dëmtojnë Postën e Maqedonisë dhe buxhetin me praktika të padrejta.

“Shteti është humbësi më i madh këtu, sepse të gjithë e dini parimin: Alo, Nikollçe, unë jam para ndërtesës, dil të ta jap dërgesën. Shkon, do të hapë një i panjohur dritaren e një furgoni. Firmos këtu që e ke marrë dërgesën, më jep 150 denarë. Kush ka mbikëqyrje të atyre 150 denarëve? A ka kupon fiskal, siç e japim ne? Nga tridhjetë e ca posta private në Maqedoni, sipas informacioneve të mija, janë 2-3 që i plotësojnë kushtet për punë. Të gjitha të tjerat janë për t’u mbyllur”, deklaroi Ugrinov, duke shtuar se për këtë tashmë është njoftuar qeveria dhe se priten masa konkrete.





