Tregu gjerman i automjeteve ka shënuar një ndryshim të madh, ku për herë të parë automjetet elektrike kanë kaluar ato me benzinë në shitje, sipas të dhënave më të fundit nga tregu automobilistik.
Sipas raportimeve, në Gjermani është vërejtur një rritje e ndjeshme e regjistrimeve të veturave elektrike, të cilat tashmë po bëhen zgjedhja më e zakonshme në krahasim me automjetet tradicionale me motor benzinë.

Ky zhvillim konsiderohet një pikë kthese për industrinë e automobilave në vendin më të madh ekonomik të Evropës.
Të dhënat tregojnë se pjesa e makinave elektrike në treg është rritur ndjeshëm, duke e tejkaluar për herë të parë segmentin e benzinës, i cili prej vitesh ka dominuar tregun.
Ky ndryshim vjen si rezultat i rritjes së ofertës së modeleve elektrike, përmirësimit të infrastrukturës së karikimit dhe politikave që favorizojnë tranzicionin drejt transportit më të pastër.
Ndërkohë, ekspertët theksojnë se ky trend mund të vazhdojë edhe në muajt dhe vitet në vijim, ndërsa prodhuesit kryesorë po rrisin investimet në automjete elektrike dhe po reduktojnë varësinë nga motorët tradicionalë me djegie të brendshme. /Telegrafi/





