“Përgjegjësia mbi mua”, Mikel Arteta e pranon fajin pas eliminimit të Arsenalit nga FA Cup

Trajneri Mikel Arteta mori përgjegjësinë për eliminimin surprizë të Arsenalit nga çerekfinalja e FA Cup kundër Southampton, por tha se të gjithë në klub duhet të reflektojnë para fazës vendimtare të sezonit. Arsenali ishte në garë për një katërfish historik vetëm dy javë më parë, por tani lufta e tyre për trofe është reduktuar në […]

Sport

Trajneri Mikel Arteta mori përgjegjësinë për eliminimin surprizë të Arsenalit nga çerekfinalja e FA Cup kundër Southampton, por tha se të gjithë në klub duhet të reflektojnë para fazës vendimtare të sezonit.

Arsenali ishte në garë për një katërfish historik vetëm dy javë më parë, por tani lufta e tyre për trofe është reduktuar në dy, pas humbjes 2-1 të së shtunës në “St. Mary’s”.

Kjo ishte hera e parë që Arsenali eliminohet nga FA Cup nga një ekip i një kategorie më të ulët që nga sezoni 2021/22, kur humbi ndaj Nottingham Forest në raundin e tretë, ndërsa tani ka pësuar dy humbje radhazi në të gjitha garat për herë të parë këtë sezon.

Megjithatë, Arteta mbrojti mentalitetin e lojtarëve të tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Unë i dua lojtarët e mi. Ajo që kanë bërë për nëntë muaj, mënyra se si po sakrifikojnë trupin e tyre për gjithçka, disa prej tyre ndoshta as nuk duhej të ishin sot këtu”.

“Do t’i mbroj më shumë se kurrë. Nëse dikush duhet të marrë përgjegjësi, jam unë – kemi periudhën më të bukur të sezonit përpara dhe tani është momenti”.

“Në një sezon gjithmonë ka momente – zakonisht dy ose tre. Ky është momenti i parë që po përballemi me një nivel të caktuar vështirësie, dhe ne e quajmë vështirësi kur jemi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe në krye të ligës”.

“Është një periudhë e vështirë – besoj se është kështu – ka shumë të tjera edhe më të vështira. Prandaj, ngrihuni, merrni përgjegjësi dhe jepni maksimumin siç kemi bërë gjatë gjithë sezonit”, deklaroi ai.

Arsenali do të udhëtojë te Sporting CP për ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të martën, ndërsa të shtunën do të rikthehet në garën për titullin e Ligës Premier me ndeshjen në shtëpi kundër Bournemouth./Telegrafi/