Publikohen pamje të rralla të Princeshës Diana nga vizita në zonat me mina tokësore, pak muaj para vdekjes

Pamje të papublikuara më parë të Princeshës Diana, të realizuara gjatë një udhëtimi të diskutuar në Angola në janar të vitit 1997, janë publikuar për herë të parë. Vizita historike ndodhi vetëm disa muaj para vdekjes së saj tragjike në Paris dhe kish...

Magazina
Reklame

Pamje të papublikuara më parë të Princeshës Diana, të realizuara gjatë një udhëtimi të diskutuar në Angola në janar të vitit 1997, janë publikuar për herë të parë.

Vizita historike ndodhi vetëm disa muaj para vdekjes së saj tragjike në Paris dhe kishte për qëllim të rritte ndërgjegjësimin për ndalimin global të minave tokësore.

Videoja tregon Dianën duke ecur me jelek mbrojtës në një zonë të rrethuar nga mina tokësore, së bashku me ekspertë të çminimit nga organizata humanitare The Halo Trust, shkruan DailyMail.

Ajo madje aktivizoi nga distanca një minë tokësore, duke theksuar rrezikun që miliona mina paraqisnin për civilët në mbarë botën.

Në atë kohë, Angola ishte një nga vendet më të prekura, me mijëra viktima dhe persona të gjymtuar nga shpërthimet.

Vizita e saj shkaktoi polemika politike në Britani, ku disa zyrtarë konservatorë e kritikuan, duke e cilësuar si një veprim me ngjyrim politik.

Megjithatë, Diana këmbënguli se nuk ishte figurë politike dhe se synimi i saj ishte thjesht humanitar.

“E tëra çfarë po përpiqem të bëj është të ndihmoj dhe të sjell vëmendje për njerëzit në vështirësi”, ishte shprehur ajo në atë kohë.

Pamjet e saj duke ecur në fushën me mina bënë jehonë në të gjithë botën dhe u konsideruan një moment kyç në rritjen e ndërgjegjësimit global për rrezikun e minave tokësore.

Vetëm disa muaj pas këtij udhëtimi, në gusht të vitit 1997, Diana humbi jetën në një aksident tragjik në Paris, por ndikimi i veprës së saj humanitare vazhdoi edhe pas vdekjes.

Ekspertët e fushës e konsiderojnë vizitën e saj një pikë kthese që kontribuoi në miratimin e Traktatit të Otavës për ndalimin e minave tokësore, i nënshkruar nga më shumë se 120 vende në fund të vitit 1997. /Telegrafi/