Gjykata cakton paraburgim për ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e Arlinda Zekajt dhe dy personat e tjerë

Nacionale

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Rasti lidhet me arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, si dhe dy personave të tjerë. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda […]

Madhësia e shkronjave

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Rasti lidhet me arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, si dhe dy personave të tjerë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Nurije Sylaj, Driton Sylaj dhe M.P. e G.B.

Arrestimi i katër personave lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, Prokuroria jep detaje

Gjykata ka bërë të ditur se ndaj dy të pandehurve, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj paraburgimi është caktuar për shkak të dyshimit për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.

Ndërkaq, dy të pandehurit e tjerë, M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

Masa e paraburgimit është caktuar për periudhën 24 nëntor deri më 24 dhjetor 2026. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tij.

E vëzhgoi vrasjen e Arlindës me sëpatë, dosja e Prokurorisë zbardh detaje rreth rolit të ish-vjehrrës dhe ish-kunatit në krim

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Ajo vazhdimisht kishte alarmuar për rrezikun për jetë që i kanosej. Për këtë, edhe i kishte shkruar Prokurorisë, Gjykatës e Policisë.

Rasti i saj ka nxitur reagime të mëdha në gjithë Kosovën. Janë mbajtur disa protesta e po ashtu janë shkarkuar prokurorë e policë që janë marrë me rastin. Për këtë, ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha./Telegrafi/