Kalprotektina fekale: Një test i vetëm tregon nëse keni inflamacion në zorrë apo jo

Nga koliti te tumoret, çfarë tregon kalprotektina dhe pse është kaq e rëndësishme në diagnostikë Te pacientët me shqetësime në traktin e poshtëm gastrointestinal shpesh paraqitet nevoja për diagnostikim shtesë, me qëllim që të dallohen çrregullimet f...

shendetesi
Reklame

Nga koliti te tumoret, çfarë tregon kalprotektina dhe pse është kaq e rëndësishme në diagnostikë

Te pacientët me shqetësime në traktin e poshtëm gastrointestinal shpesh paraqitet nevoja për diagnostikim shtesë, me qëllim që të dallohen çrregullimet funksionale nga sëmundjet organike.

Dilema më e shpeshtë lidhet me dallimin ndërmjet sindromës së zorrës së irrituar dhe sëmundjeve inflamatore të zorrëve, siç janë sëmundja e Kronit dhe koliti ulceroz, por edhe ndryshimet tumorale.

Kalprotektina fekale përfaqëson një marker diagnostik modern, të besueshëm dhe lehtësisht të zbatueshëm, i cili mundëson zbulimin e hershëm dhe ndjekjen e sëmundjeve inflamatore të zorrëve. Përdorimi i saj kontribuon në diagnozë më të saktë, përzgjedhje më të mirë të terapisë dhe ulje të nevojës për procedura invazive.

Treguesit klasikë laboratorikë të inflamacionit, si proteina C-reaktive, jo gjithmonë japin informacion të mjaftueshëm për këtë diferencim. Pikërisht për këtë arsye, mjekësia bashkëkohore gjithnjë e më shumë përdor përcaktimin e kalprotektinës fekale si një marker të besueshëm të inflamacionit të zorrëve.

Kalprotektina është një proteinë që gjendet në citoplazmën e granulociteve polimorfonukleare. Struktura e saj mundëson lidhjen me kalciumin dhe zinkun, duke kontribuar në mbrojtjen e qelizave dhe shfaqjen e veprimit antibakterial.

Në organizëm ka rol të rëndësishëm në rregullimin e procesit inflamator, ndërsa përqendrimi i saj pasqyron drejtpërdrejt praninë dhe intensitetin e inflamacionit në traktin tretës. Te pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve, vlerat e kalprotektinës në feçe ndjekin qartë aktivitetin e sëmundjes. Për këtë arsye, ky marker konsiderohet një nga treguesit më të besueshëm të inflamacionit në zorrë, transmeton Telegrafi.

Pse rekomandohet testi i kalprotektinës në feçe

Analiza e kalprotektinës fekale është një metodë diagnostikuese jo invazive, pa dhimbje dhe e thjeshtë për t’u realizuar. Aplikimi i saj mundëson zbulimin në kohë të sëmundjeve organike dhe shmangien e procedurave invazive të panevojshme.

Vlerat e rritura mund të tregojnë gjendje të ndryshme inflamatore, përfshirë:

• kolitin • sëmundjen e Kronit • kolitin ulceroz • divertikulitin • polipet dhe adenomat • tumoret malinje • sëmundjet infektive të zorrëve.

Është e rëndësishme të theksohet se vlerat e rritura nuk shfaqen te çrregullimet funksionale, gjë që rrit më tej vlerën diagnostikuese të testit.

Në cilat raste rekomandohet analiza dhe çfarë tregon testi

Testi i kalprotektinës fekale rekomandohet në disa situata klinike. Aplikimi i tij mund të jetë shumë i dobishëm, ndërsa më të rëndësishmet janë:

• në dallimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve nga sindroma e zorrës së irrituar • në vlerësimin e nevojës për procedura diagnostikuese invazive, si kolonoskopia • për vlerësimin e aktivitetit të sëmundjes dhe shkallës së shërimit të mukozës • në ndjekjen e efekteve të terapisë • në vlerësimin e rrezikut për rikthim të sëmundjes.

Përcaktimi i përqendrimit të kalprotektinës në feçe jep informacion shumë të saktë diagnostik. Ndjeshmëria dhe specifikueshmëria e lartë e këtij testi mundësojnë dallim të qartë ndërmjet çrregullimeve funksionale, si sindroma e zorrës së irrituar, dhe sëmundjeve organike inflamatore të zorrëve. Testi ka vlerë të lartë parashikuese pozitive dhe ndjeshmëri pothuajse të plotë, çka e bën një mjet shumë të besueshëm për skrining në praktikën e përditshme klinike.

Roli i testit në ndjekjen e sëmundjeve inflamatore të zorrëve

Te pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve tashmë të diagnostikuara, ky test ka rol të rëndësishëm në ndjekjen afatgjatë të gjendjes. Ai ndihmon në vlerësimin e aktivitetit endoskopik dhe histologjik të sëmundjes, në ndjekjen e ecurisë klinike dhe efikasitetit të terapisë, si dhe në parashikimin e progresionit të sëmundjes.

Rëndësi të veçantë ka në popullatën pediatrike, ku metodat diagnostikuese invazive paraqesin ngarkesë shtesë dhe shpesh kërkojnë anestezi të përgjithshme. /Telegrafi/