Vendimi i Nvidia-s për të rikthyer Jensen Huang në postin e CEO-s të hënën, i shtoi pasurisë së tij rreth 34 miliardë dollarë (31 miliardë euro), sipas listës së miliarderëve në kohë reale të Forbes.
Aksionet e Nvidia-s u mbyllën me një rritje prej 31,5%, duke e çuar vlerën e tregut të kompanisë rreth 950 miliardë dollarë (871 miliardë euro) më lart – rritja më e madhe brenda një dite e regjistruar ndonjëherë për ndonjë kompani.
Kjo rritje e vrullshme çoi gjithashtu në shtimin e vlerës së investimeve të presidentit amerikan Donald Trump, pasurisë së stafit të Nvidia-s dhe çmimeve të aksioneve në mbarë SHBA-në dhe Azinë, ndërsa në Evropë ndikimi ishte më i kufizuar.
Trump, i cili kishte bërë thirrje për rikthimin e Huang-ut, deklaroi të hënën për CNBC se ai e kishte “bindur” bordin e Nvidia-s.

“Unë e bëra marrëveshjen”, u mburr ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Bordi i Nvidia-s mori “sugjerime nga nivelet e larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, sipas një deklarate të kompanisë.
Sipas një analize të Financial Times mbi deklarimet e detyrueshme financiare, llogaritë e Trump-it mund të kenë përmbajtur midis 32,000 dhe 370,000 aksione të Nvidia-s deri më 30 shtator.
Presidenti amerikan e ka shtuar zotërimin e tij në Nvidia disa herë që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Duke supozuar se nuk ka pasur ndryshime të fundit në këto zotërime, vlera e aksioneve do të jetë rritur me një shumë që varion nga 1,3 milion dollarë (1,2 milion euro) deri në 15 milionë dollarë (14 milionë euro) gjatë së hënës.
Dokumentet e dorëzuara ofrojnë vetëm intervale vlerash dhe nuk përfshijnë ende muajt tetor dhe nëntor.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, portofoli i Trump-it menaxhohet në mënyrë të pavarur nga institucione financiare të palëve të treta.
Një fuqi punëtore e përbërë nga milionerë
Punonjësit e pritën Huang-un me brohoritje, duartrokitje dhe duke thirrur emrin e tij, kur ai u rikthye në selinë qendrore të Nvidia-s në Santa Clara, Kaliforni, të hënën.
“Faleminderit të gjithëve për mundësinë e dytë”, u tha ai punonjësve, në pamjet që u shpërndanë në internet.
Dhe siç vë në pah shkrimi në fjalë, shumë njerëz janë pasuruar falë rritjes së kompanisë.
Në një sondazh të vitit 2024 në “Blind” – një forum anonim për punonjës të verifikuar të sektorit të teknologjisë – 76% e punonjësve të Nvidia-s që morën pjesë u shprehën se ishin milionerë.
Më shumë se katër në çdo dhjetë prej tyre deklaruan se pasuria e tyre neto arrin në 10 milionë dollarë (9,2 milionë euro) ose më shumë.
Sipas raportit vjetor, pagesat në formë aksionesh i kushtuan Nvidia-s 6,4 miliardë dollarë (5,9 miliardë euro) gjatë vitit financiar që përfundoi në janar.
Gjithashtu, punonjësit kanë mundësinë të blejnë një sasi të kufizuar aksionesh të kompanisë me një zbritje prej të paktën 15%.
Sipas të njëjtit dokument, shkalla e largimit të punonjësve nga kompania – e cila numëron rreth 42,000 të punësuar – ishte 3,7% gjatë atij viti.
Megjithëse zotërimet individuale nuk janë publike, ka gjasa që një pjesë e madhe e pasurisë së shumë punonjësve të jetë ende e investuar në aksione të Nvidia-s; vlerë e cila u rrit ndjeshëm pas hovit të regjistruar të hënën.
Kjo u jep atyre arsye ta shohin Huang-un si njeriun që i bëri të pasur dhe që duhet të vazhdojë të drejtojë kompaninë.
Më shumë se 10,000 persona, të cilët pretendojnë se punojnë në Nvidia, raportohet se kanë nënshkruar një peticion që kërkon rikthimin e tij.
Tregjet e aksioneve në valën e rritjes
Në Wall Street, indeksi Nasdaq Composite – i dominuar nga kompanitë teknologjike – u mbyll të hënën me një rritje prej 6,5%, ndërsa indeksi S&P 500 u rrit me 4,7%; këto ishin sesionet më të fuqishme që nga prilli i vitit 2025.
Indeksi S&P 500 rifitoi rreth 3 trilionë dollarë (2,7 trilionë euro) në vlerë tregu, ndërsa vala e rritjes u përhap të martën edhe në Azi.
Indeksi Taiex i Tajvanit u mbyll me një rritje prej 9%, ndërsa indeksi Kospi i Koresë së Jugut u rrit me 6,3%, duke u rikthyer mbi nivelin e 5,000 pikëve.
Indeksi Nikkei 225 i Japonisë, i cili ishte i mbyllur të hënën për shkak të një feste publike, shënoi një rritje prej 3,9%.
Nga ana tjetër, rritja në Evropë ishte dukshëm më e moderuar.
Të hënën, indeksi pan-evropian Stoxx 600 u rrit me 1,8%, ndërsa indeksi gjerman DAX u rrit me 2,2% dhe indeksi britanik FTSE 100 me rreth 1,3%.
Aksionet e çipave si ASML u rritën të hënën, por indekset kryesore evropiane në fakt pësuan një rënie të lehtë të martën në mëngjes.
Një arsye kryesore për reagimin e heshtur është se tregjet e Evropës kanë shumë më pak kompani teknologjike.
Teknologjia përbën 9.5% të Stoxx 600, sipas ofruesit të indeksit Stoxx, ndërsa bankat janë sektori i saj më i madh me 16.2%.
Ndryshe, Huang tani përballet me tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve me dyer të mbyllura më 1 dhjetor, pastaj një seancë publike dëgjimore të Komitetit Bankar të Senatit më 3 dhjetor, një datë që kryetari i tij, senatori Tim Scott, e konfirmoi të hënën. /Telegrafi/




