Hakan Çalhanoglu flet para finales vendimtare: Dua Botërorin si kapiten

Ëndrra e ekipit kombëtar të Turqisë për të siguruar një vend në Kupën e Botës pas 24 vjetësh është më e fortë se kurrë. Pas fitores minimale 1-0 ndaj Rumanisë në gjysmëfinalen e playoff-it, Turqia është vetëm një hap larg realizimit të këtij objektiv...

Sport

Ëndrra e ekipit kombëtar të Turqisë për të siguruar një vend në Kupën e Botës pas 24 vjetësh është më e fortë se kurrë.

Pas fitores minimale 1-0 ndaj Rumanisë në gjysmëfinalen e playoff-it, Turqia është vetëm një hap larg realizimit të këtij objektivi.

Ndeshja vendimtare do të zhvillohet të martën nga ora 20:45 në Kosovë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku fituesi do të sigurojë udhëtimin për në Botëror.

Fitorja ndaj Rumanisë erdhi me vështirësi, ndonëse pritjet ishin për një rezultat më bindës.

“Të gjithë kanë pritur fitore 3-0 apo 4-0, por ne e kemi ditur se nuk do të jetë ndeshje e tillë”, ka thënë kapiteni i Turqisë, Hakan Çalhanoglu.

Ai vlerësoi edhe kundërshtarin, duke theksuar ndikimin e trajnerit të tyre, Mircea Lucescu.

“Rumania është e mirë. Ish-trajneri ynë punon te Rumani dhe njeh secilin lojtar”.

Legjendari 80-vjeçar kishte drejtuar Turqinë nga viti 2017 deri në vitin 2019.

Turqia hasi vështirësi sidomos në pjesën e parë përballë një kundërshtari të organizuar mirë, ndërsa në pjesën e dytë diferencën e bëri një pasim brilant i Arda Guler që çoi në golin vendimtar.

“Ne ishim të durueshëm dhe vazhdimisht kishim lojën në kontroll. Ekipi është i motivuar dhe të gjithë janë në disponim të mirë. Nuk duam ta humbim këtë kënaqësi. Duam ta ruajmë për vete dhe për vendin tonë”.

Edhe trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit.

“Ndaj një kundërshtareje të tillë shpesh ju luani pa durim dhe kështu mbeten hapësira. Por ne nuk e bëmë këtë. Kemi luajtur me maturi dhe kemi fituar”.

Fokusi tashmë është përballja me Kosovën.

Montella ka mohuar zërat për dorëheqje në rast humbjeje në Prishtinë, duke i cilësuar këto pyetje si provokuese dhe duke theksuar se një ndeshje e vetme nuk mund të zhbëjë dy vite të suksesshme pune.

Çalhanoglu numëron aktualisht 103 paraqitje me kombëtaren dhe synon të arrijë edhe më shumë.

“Synimi im i vetëm është të marr pjesë në Botëror si kapiten. Është gjëja e vetme që më mungon me ekipin nacional”.

Herën e fundit që Turqia mori pjesë në një Botëror, në vitin 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut, ajo arriti sukses historik duke u renditur e treta.

Në atë ekip spikatnin emra si portieri Rustu Reçber dhe kapiteni legjendar Hakan Sukur.

Me 120 dhe 114 paraqitje, ata mbeten dy futbollistët me më shumë ndeshje në historinë e Turqisë. /Telegrafi/