Hadërgjonaj: E merituam të jemi këtu, tani kemi finale të martën

Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka reaguar me emocione të mëdha pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, një rezultat që e çon kombëtaren një hap larg realizimit të ëndrrës për Kupën e Botës 2026. Pas ndeshjes, Hadërgjona...

Sport

Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka reaguar me emocione të mëdha pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, një rezultat që e çon kombëtaren një hap larg realizimit të ëndrrës për Kupën e Botës 2026.

Pas ndeshjes, Hadërgjonaj nuk e fshehu krenarinë për arritjen historike të ekipit, duke vlerësuar kontributin e secilit lojtar dhe duke theksuar rëndësinë e unitetit në skuadër.

Ai gjithashtu u ndal te sfida e radhës, finalja e playoff-it, që pritet të zhvillohet të martën dhe që mund të jetë vendimtare për historinë e futbollit kosovar.

“Është vështirë të gjej fjalët e duhura për këtë arritje. Secili ka meritat e veta. Besoj se e kemi merituar të jemi këtu”, ka thënë Hadërgjonaj fillimisht.

“E kemi edhe finalen të martën. Është speciale, pasi 6 vjet po bëhen që jam atje në Turqi. Për ne e rëndësishme është t’u dhurojmë emocione tifozëve tanë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/