E vërteta e tmerrshme për rolin e Francës në Holokaust

Histori

Hierarkia katolike i tradhtoi hebrenjtë francezë kur lidershipi moral kërkohej më së shumti, siç e bën të qartë historia Sacred Betrayal [Tradhtia e shenjtë] e Aliza Luftit. Nga: Laurence Rees / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Ja një nga pyetjet që ende shtrohet për Holokaustin: pse udhëheqja katolike në Francë nuk bëri më shumë për të […]

Madhësia e shkronjave

Hierarkia katolike i tradhtoi hebrenjtë francezë kur lidershipi moral kërkohej më së shumti, siç e bën të qartë historia Sacred Betrayal [Tradhtia e shenjtë] e Aliza Luftit.

Nga: Laurence Rees / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com

Ja një nga pyetjet që ende shtrohet për Holokaustin: pse udhëheqja katolike në Francë nuk bëri më shumë për të parandaluar përndjekjen dhe deportimin e hebrenjve? Veçanërisht kur rreth 85 për qind e francezëve ishin katolikë?

Para se gjermanët ta pushtonin Francën në vitin 1940, klerikët kryesorë si Pierre-Marie Gerlier, kardinal dhe kryepeshkop i Lionit, nuk e kishin problem të flisnin hapur. Gerlieri madje e quajti Adolf Hitlerin “armikun publik të Jezu Krishtit”. Dhe, ndonëse kryepeshkopi u mor për pak kohë peng nga gjermanët kur ata pushtuan Lionin në vitin 1940, frika nga nazistët nuk e shpjegon mjaftueshëm – siç e bën të qartë historia studimore Tradhti e shenjtë e Aliza Luftit – sjelljen e tij të mëvonshme.

Pierre-Marie Gerlier, kardinal dhe kryepeshkop i Lionit nga viti 1937 deri më 1965Alamy/SuperStock

Pas disfatës së Francës, gjermanët e ndanë vendin në një zonë të pushtuar – që përfshinte Parisin, pjesën më të madhe të Francës veriore dhe bregdetin e Atlantikut – dhe një zonë të papushtuar në Jug, ku Philippe Pétain vendosi qeverinë e tij në Vishi [Vichy]. Pétaini bashkëpunoi me gjermanët dhe, ndonëse qeveria e tij kishte ndikim në të dyja zonat, ai kishte më shumë liri veprimi në jugun e papushtuar.

Në tetor 1940, Vishi miratoi një Statut des Juifs të parë, i cili i përjashtonte hebrenjtë nga postet në ushtri, shërbimi civil dhe fusha të tjera të jetës publike. Gjermanët nuk e kishin kërkuar këtë legjislacion antisemit; administrata e Pétainit e paraqiti si nismë të vet. Kuptohet, hebrenjtë francezë u tmerruan. Raymond-Raoul Lambert, i cili ishte dekoruar për luftën në ushtrinë franceze, e quajti atë një “turp të pakufishëm” dhe tha se ndihej “si një burrë që papritmas braktiset nga gruaja që ka qenë dashuria e vetme e jetës së tij”.

Udhëheqësi i Vishit, Philippe Pétain (majtas), me Hitlerin në vitin 1940Getty Images/Hulton Archive

Megjithatë, pavarësisht se dinte për këtë përndjekje, Gerlieri e lavdëroi Pétainin në një predikim në muajin e ardhshëm në Katedralen e Lionit. “Pétaini është Franca”, deklaroi kryepeshkopi, “dhe, Franca sot është Pétaini”! As ai, as Emmanuel Suhard, kryepeshkop i Parisit dhe po ashtu kardinal, nuk protestuan publikisht kundër padrejtësisë së trajtimit të hebrenjve.

Njëra arsye ishte se të dy kardinalët ishin të interesuar ta ruanin ndikimin katolik në Francë. Për shembull, në dhjetor 1940, Suhardi ishte i zënë duke iu lutur gjermanëve që Universiteti Katolik i Parisit të rihapej. Antisemitizmi personal, në rastin e tij, mund të ketë luajtur gjithashtu një rol. Ai tha privatisht, në mbrojtje të qëndrimit të tij ndaj Vishit, se lidhja e Francës me Britaninë mund të rivendoste “kontrollin e hebrenjve dhe të masonëve të lirë”. Teksa masat ndëshkuese kundër hebrenjve përshkallëzoheshin, klerikët që ishin më poshtë në hierarkinë katolike u zemëruan nga dështimi i eprorëve të tyre për të folur haptazi. Prifti jezuit Pierre Chaillet shkroi një artikull në shtypin klandestin, me pseudonim, duke thënë se “Kisha është shndërruar në një kult nacionalsocialist”.

Emmanuel Suhard, kryepeshkop i Parisit nga viti 1940 deri më 1949Getty Images/Keystone/Hulton Archive

Pastaj, në vitin 1942, erdhi një nga çastet më të errëta në historinë franceze. Gjermanët vendosën t’i grumbullonin hebrenjtë në masë – hapi i parë në rrugëtimin e tyre drejt Aushvicit. Por, thjesht nuk kishte mjaft gjermanë në Francë që ta kryenin këtë vetë. Prandaj, iu drejtuan policisë franceze për ndihmë. Kur zyrtari i policisë së Vishit, René Bousquet, i kërkoi Suhardit udhëzim, kardinali tha se nuk ishte përgjegjësia e tij t’i tregonte Bousquetit se çfarë të bënte, por “zbatimi i urdhrave me njerëzillëk do të ishte gjithsesi ndihmë për viktimat e gjora”.

Bousquet u tha gjermanëve se policia franceze do ta ndërmerrte aksionin dhe më 16 korrik filloi të arrestonte hebrenjtë e huaj dhe pa shtetësi, bashkë me fëmijët e tyre. Vënia në shënjestër e hebrenjve jofrancezë ishte vetëm fillimi. Lufti përshkruan skenat e dëshpëruara në Paris: “Familjet ndaheshin në rrugë: fëmijët bërtisnin, prindërit qanin, disa kapeshin pas njëri-tjetrit, të tjerët i shtynin fëmijët e tyre larg në përpjekje të dëshpëruara për t’i shpëtuar”. Një grua, e kapur nga dy policë, “u shkëput dhe ra te këmbët e një prifti, duke kapur veladonin e tij dhe duke iu lutur për mëshirë”. Prifti “ia hoqi gishtat një nga një, pastaj u përpoq ta shtynte larg duke e kapur nga kyçet e duarve”.

Zyrtari i policisë së Vishit, René Bousquet (në foto para Gjykatës së Lartë të Drejtësisë të Parisit në qershor 1949)Getty Images/AFP

Veprimet e tmerrshme si ky më në fund shkaktuan një reagim. Jules-Géraud Saliège, kryepeshkopi i Tuluzit urdhëroi që një letër pastorale të lexohej nga foltoret në të gjithë dioqezën e tij, duke deklaruar se hebrenjtë ishin “vëllezërit dhe motrat tona si gjithë të tjerët. I krishteri nuk mund ta harrojë këtë”. Megjithatë, ata po trajtoheshin “si një tufë e neveritshme”, me pjesëtarë të së njëjtës familje “të ndarë nga njëri-tjetri dhe të dërguar drejt një destinacioni të panjohur”. Edhe Gerlieri, në këtë pikë, protestoi publikisht kundër deportimeve, ndonëse u kujdes të thoshte se ishte “i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballet qeveria [e Vishit]”.

Në mënyrë të habitshme, ato protesta ndihmuan që deportimet të ndaleshin përkohësisht; dhe, ndonëse së shpejti do të rifillonin, ato nuk do të ktheheshin në të njëjtin nivel si në verën e vitit 1942. Megjithatë, peshkopët u ndalën aty. Ata kishin zbuluar ndikimin që zotëronin dhe megjithatë nuk bënë më kurrë ndonjë protestë të krahasueshme kundër deportimit të hebrenjve.

Në mënyrë private, pati raste kur klerikët u përpoqën të ndihmonin, veçanërisht në rastin e fëmijëve hebrenj. Pas luftës, Gerlierit madje iu dha titulli “I Drejtë ndër Kombet” nga Jad Vashemi, kryesisht për rolin e tij në mbrojtjen e 108 fëmijëve hebrenj të shpëtuar nga një kamp pranë Lionit në verën e vitit 1942. Por, publikisht ai nuk e përsëriti kurrë denoncimin e tij të deportimeve.

Megjithatë, mundësia e protestave të reja e shqetësonte regjimin e Vishit. Për shembull, në gusht 1943, Pétaini kërkoi mendimin e Kishës për një propozim për t’ua hequr shtetësinë franceze disa hebrenjve të natyralizuar, për t’i thënë pastaj se peshkopët mund ta shprehnin publikisht kundërshtimin e tyre. Më pas ai hoqi dorë nga kjo ide.

Lufti sugjeron disa arsye pse klerikët e lartë heshtën publikisht: “Besnikëria ndaj Pétainit, përkushtimi ndaj mbijetesës institucionale dhe bindja se diplomacia e heshtur mund të ishte më e efektshme sesa përballja morale”. Por, të gjithë këta faktorë ekzistonin edhe para se ata të protestonin hapur në verën e vitit 1942. Mbase, pasi gjermanët i kishin futur forcat e tyre ushtarake në zonën e papushtuar në nëntor 1942, peshkopët kishin më shumë frikë nga masat ndëshkuese naziste. Megjithatë, kjo ende nuk shpjegon pse ata kishin pushuar së foluri haptazi edhe para se gjermanët ta bënin këtë lëvizje.

“Tradhtia e shenjtë” e titullit të Luftit është mënyra se si udhëheqësit katolikë bashkëpunuan me regjimin e Vishit teksa, privatisht, u ofronin shpresë udhëheqësve hebrenj të Francës. Ajo argumenton se kjo i nxiti hebrenjtë të mendonin se mund të mbroheshin. Vërtet, duhet të ketë qenë zemërthyese për hebrenjtë që shpresat e tyre do të shuheshin: të ofrosh shpresë në këtë mënyrë dhe të mos e përmbushësh premtimin kjo mund të ketë pasoja të thella. Prandaj, në Tradhtia e shenjtë ka shumëçka për specialistin, ndonëse ndoshta është tepër i dendur për të shërbyer si hyrje në këtë histori për lexuesin e përgjithshëm.

Në vitin 1997, më shumë se 50 vjet pas përfundimit të luftës, peshkopët francezë më në fund kërkuan falje për mosveprimin e paraardhësve të tyre. “Nuk ka zgjidhje tjetër”, thanë ata, “përveçse të pranojmë se peshkopët e Francës nuk folën hapur, duke u pajtuar përmes heshtjes së tyre me këto shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe duke lënë një fushë të lirë për spiralen së vdekjes … Heshtja ishte rregulli, ndërsa përjashtim ishin fjalët në favor të viktimave”.