Kolonoskopia konsiderohet si një nga ekzaminimet më të rëndësishme për zbulimin dhe parandalimin e kancerit kolorektal, por një nga dilemat më të shpeshta të pacientëve mbetet: sa shpesh duhet të bëhet kjo procedurë?
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, gastroenterologu Valon Hamza ka sqaruar se frekuenca e kolonoskopisë varet nga rezultatet e ekzaminimit të parë dhe prania e ndryshimeve në zorrë.
“Depistimi bëhet çdo dhjetë vite, nëse kolonoskopia e parë ka dalë pa probleme, pa polipe, pa ndryshime”, theksoi Hamza.

Sipas tij, nëse një pacient e kryen kolonoskopinë për herë të parë rreth moshës 45 vjeçare dhe rezultati është normal, atëherë kontrolli i radhës rekomandohet rreth moshës 55 vjeçare.
Megjithatë, siç tha Hamza situata ndryshon në rastet kur gjatë ekzaminimit zbulohen polipe apo ndryshime të tjera.
Në këto raste, intervali i kontrollit shkurtohet dhe pacienti duhet të monitorohet më shpesh, sipas vlerësimit të mjekut.
Hamza theksoi se një nga rreziqet kryesore është mosidentifikimi i ndryshimeve gjatë ekzaminimit të parë, që mund të çojë në vonesa të rrezikshme në diagnostikim.
“Nëse pacienti lihet të presë dhjetë vite dhe ndryshimet nuk janë vërejtur, mund të jetë vonë për të”, paralajmëroi ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:




