Drejtoresha ekzekutive e STIKK-ut, Vjollca Çavolli, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së teknologjisë në sistemin arsimor që në moshë të hershme, duke e cilësuar këtë si një nga faktorët kryesorë për zhvillimin e sektorit të IT-së në Kosovë.
Në episodin e parë të podcastit “Rrugëtimi”, ajo u shpreh se kërkesa për integrimin e kodimit në shkolla ekziston prej vitesh.
“Ne kemi pasë kërkesë si shoqatë qysh në vitin 2010 që kodimi me qenë pjesë e kurrikulave të klasës së parë në shkollën fillore”, tha Çavolli.

Sipas saj, teknologjia nuk duhet të shihet si diçka e komplikuar apo e frikshme për nxënësit apo prindërit, por si një aftësi bazike për të ardhmen.
Në këtë drejtim, ajo theksoi edhe rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës përmes modelit të edukimit dual.
“Kemi edhe një iniciativë me Dukatin e madh të Luksemburgut ku po mundohemi me vendos sistemin dual të mësimit në shkollat e mesme”, tha Çavolli.
Çavolli vlerësoi se edukimi dual ku nxënësit dhe studentët kombinojnë mësimin teorik me përvojën praktike në kompani është një nga mënyrat më efektive për të përgatitur të rinjtë për sektorin e teknologjisë.
Sipas saj, një qasje e tillë jo vetëm që rrit aftësitë praktike të të rinjve, por edhe ndihmon bizneset të gjejnë më lehtë profesionistë të përgatitur për tregun e punës.
Ajo shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të IT-së në Kosovë nuk mund të arrihet pa reforma konkrete në arsim, duke filluar nga përfshirja e hershme e teknologjisë dhe deri te krijimi i urave të forta mes shkollave dhe industrisë.
Në fund, Çavolli theksoi se investimi në edukim dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja është rruga më e sigurt për ta pozicionuar Kosovën si një vend konkurrues në ekonominë digjitale. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com





