Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor mund të ishte parandaluar, duke theksuar se institucionet kishin marrë vazhdimisht paralajmërime për rrezikun që i kanosej asaj.
Gërvalla bëri të ditur se më 26 tetor, një ditë pas vrasjes, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Punës, Andin Hotin, kishte mbajtur një takim për të diskutuar rastin dhe përgjegjësitë institucionale.
Ajo theksoi se qëllimi nuk është të gjenden arsyetime për institucionet, por të kërkohen përgjigje për veprimet dhe mosveprimet e tyre.
Pas thirrjeve për dorëheqje, Gërvalla dhe Sveçla nuk e shohin largimin si zgjidhje
“Me shumë gjasë, vrasja e Arlinda Zekajt mund të ishte parandaluar. Gjatë viteve të fundit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin institucional, por rasti i Arlinda Zekajt është dëshmia më e qartë se as ligjet e mira dhe as mekanizmat nuk janë të mjaftueshëm nëse zbatimi i tyre nuk përcillet”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja bëri të ditur se do të ndërmerren hapa për shqyrtimin e procedurave të trajtimit të rasteve të dhunës, me qëllim që të kontrollohet jo vetëm nëse procedurat janë zhvilluar, por edhe nëse ato janë zbatuar në përputhje me ligjin.
Sipas saj, Zyra e Koordinatores Kombëtare po shqyrton mundësitë ligjore për krijimin e një mekanizmi të posaçëm, i cili do të mundësonte kontrollin e rregullt të respektimit të detyrimeve ligjore dhe procedurave institucionale, përfshirë edhe rastet që institucionet i konsiderojnë të përfunduara.
Të gjeturat për rastin e Arlinda Zekajt, Sveçla tregon për masat që po ndërmerren
Gërvalla sqaroi se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca hetimore mbi veprimet e Policisë, Prokurorisë apo institucioneve të tjera, duke theksuar rëndësinë e themelimit të komisionit hetimor.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë hetimore mbi veprimet e Policisë, Prokurorisë apo institucioneve të tjera. Themelimi i komisionit hetimor ka një funksion të veçantë. Presim që ky komision të veprojë në zbardhjen e plotë të këtij rasti, në të gjitha hallkat institucionale. Komisioni do ta ketë mbështetjen tonë të plotë”, u shpreh ajo.
Ministrja shtoi se qëllimi i përbashkët duhet të jetë zbardhja e së vërtetës dhe identifikimi i përgjegjësive institucionale.
Ajo theksoi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtje, madje disa herë brenda së njëjtës ditë, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Megjithatë, ajo u vra më 25 tetor.
Në fund, Gërvalla nënvizoi se raporti i përgatitur nuk përbën vendim gjyqësor, por shërben si bazë për shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale.
“Mbrojtja e grave nga dhuna nuk mund të varet nga vullneti i një zyrtari, por është detyrim ligjor i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mos reskpetimi i tyre duhet të ketë pasoja serioze. Raporti që kemi nuk është vendim gjyqësor. Mbrojtja e grave nga dhuna nuk mund të varet nga vullneti i një zyrtari”, përfundoi Gërvalla. /Telegrafi/