Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit është një proces tërësisht i brendshëm dhe nuk i takon Bashkimit Evropian të ndërhyjë.
“Zgjedhja e presidentit apo presidentes suaj është zgjedhje juaj… e parlamentarëve tuaj, të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë dhe të propozojnë kandidatë”, ka thënë Orav për një grup gazetarësh në Prishtinë.
Ai theksoi se mungesa e konsensusit politik nuk mund të zgjidhet nga faktori ndërkombëtar.

“Nëse askush nuk propozon kandidat… nuk di çfarë të them, nuk di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast”, u shpreh ai shkruan Telergafi.
Orav shtoi se Bashkimi Evropian nuk ka rol në përcaktimin e procesit apo emrave për këtë pozitë.
“Ne nuk kemi qasje që t’u tregojmë se si ta zgjedhni Presidentin apo kënd ta zgjedhni”, deklaroi ambasadori.
Sipas tij, Kosova tashmë ka arritur një nivel të mjaftueshëm të pjekurisë institucionale për të menaxhuar procese të tilla vetë.
“Kosova është mjaft e pjekur”, theksoi Orav.
Sipas tij viti i kaluar ka qenë vit i humbur.
“Shpresoj shumë që ky nuk do të jetë i njëjtë. Por tre muaj veç kanë kaluar. Bukur shumë është bërë, pra është mirë që Kuvendi ka pasur kohë të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pagesat e para mund të vijnë. Por tani ka afate të qarta kohore se kur duhet të realizohen disa reforma të caktuara, deri në qershor, dhe ka rrezik që Kosova të humbasë këto para. Dhe kjo nuk është në interes të Kosovës, nuk është në interes të qeverisë dhe as të opozitës apo të qytetarëve”, u shpreh ai. /Telegrafi.





