Pasojat e luftës vazhdojnë të depërtojnë në të gjitha aspektet e jetës në Lindjen e Mesme.
Zona më e fundit e prekur janë furnizimet me vetura luksoze në rajon.

Prodhuesi italian i veturave sportive luksoze Ferrari ka njoftuar se do të pezullojë përkohësisht shpërndarjet në Lindjen e Mesme për shkak të luftës.
“Ne po monitorojmë nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe implikimet e mundshme për biznesin tonë”, tha kompania në një deklaratë.
“Në këtë fazë, ne kemi pezulluar përkohësisht dërgesat në zonë, ndërsa po menaxhojmë disa dërgesa me aeroplan”, shtoi ajo.
Vitin e kaluar, prodhuesi i veturave sportive dërgoi 626 automjete në rajon, duke e bërë atë një treg më të madh se Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca. /Telegrafi/





