Bozhinovska-Miller: UNICEF së bashku me Ministrinë e Energjetikës do të përfshijnë studentët në mësim praktik në aktivitetet e tranzicionit energjetik

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi takim zyrtar me Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut. Në takim u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërsektorial me qëllim kr...

Nacionale

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi takim zyrtar me Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut.

Në takim u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërsektorial me qëllim krijimin e politikave që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht në kontekstin e tranzicionit energjetik, sfidave klimatike dhe uljes së varfërisë energjetike.

Ministrja Bozhinovska theksoi se ministria është e përkushtuar për zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kategorive të cenueshme të qytetarëve, përfshirë fëmijët, si dhe sigurimit të qasjes në energji të sigurt, të përballueshme dhe të pastër për të gjitha familjet.

“Politikat energjetike nuk janë vetëm çështje ekonomike – ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës, shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve. Prandaj, angazhimi ynë është të ndërtojmë një sistem që do të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm për të gjitha gjeneratat,” theksoi Bozhinovska.

Përfaqësuesja e UNICEF, Miller, e përshëndeti përkushtimin e institucioneve për ndërtimin e politikave të bazuara në të drejtat e fëmijëve dhe theksoi rëndësinë e integrimit të perspektivës së fëmijëve në të gjitha politikat publike, përfshirë edhe në sektorët që tradicionalisht nuk lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e fëmijëve, siç është energjetika.

Në takim u diskutua edhe për iniciativa të mundshme të përbashkëta në fushën e edukimit, rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe përfshirjes së të rinjve në proceset e hartimit të politikave, si dhe për mbështetjen e programeve që kontribuojnë në një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër. Përfaqësuesit e UNICEF prezantuan aktivitetet e tyre në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, përfshirë mentorimin e stafit mësimor dhe realizimin e trajnimeve për nxënësit e arsimit të mesëm. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e aktiviteteve të përbashkëta të orientuara drejt rritjes së ndërgjegjësimit te të rinjtë për tema si ajri i pastër, efikasiteti energjetik dhe praktikat e qëndrueshme.

Gjithashtu, u shqyrtua mundësia për përfshirjen e UNICEF në aktivitetet ekzistuese të Ministrisë, veçanërisht në pjesën e mësimit praktik dhe angazhimit të studentëve.

Bashkëbisedueset shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për zhvillim, mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të sigurt për çdo fëmijë.