Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë anëtarësinë e tyre në NATO, ndërsa kritikoi aleatët amerikanë për mungesën e ndihmës në luftën kundër Iranit.
“Pjesëmarrja në NATO është sigurisht diçka për të cilën duhet të mendojmë”, tha presidenti amerikan, duke kritikuar aleatët për refuzimin e kërkesave të tij për ndihmë.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ai shtoi se SHBA-ja nuk ishte e detyruar të ndihmonte kur Rusia pushtoi Ukrainën, duke e barazuar në njëfarë mënyre atë konflikt me luftën në Iran.

“Ne i ndihmuam ata, por ata nuk na ndihmuan neve, dhe mendoj se kjo është shumë e keqe për NATO-n”, theksoi 79-vjeçari, shkruan cnn.
Ai shtoi se, megjithëse aleatët e NATO-s mbështesin qëllimin e SHBA-së për të ndaluar Iranin që të marrë armë bërthamore, ata janë të ngurruar të përfshihen direkt në konflikt.
“Asnjë nuk dëshiron që Irani të ketë armë bërthamore sepse këta njerëz janë të çmendur, absolutisht të çmendur, të egër dhe dhunues. Të gjithë pajtohen me këtë, por nuk duan të ndihmojnë”, tha Trump.
Ai shtoi se SHBA-ja ka vënë re këtë sjellje “Ne, si Shtete të Bashkuara, duhet ta mbajmë këtë në mend, sepse është mjaft e befasishme.”
Por kur u pyet nëse do të kishte ndëshkime ndaj NATO-s, Trump u shpreh “Jo. Thjesht mendoj se nuk është mirë për një partneritet kur ata thonë: ‘ajo që po bëni është një gjë e madhe, por ne nuk do të ndihmojmë.’”
Ndryshe, shumica e shteteve kryesore të fuqishme të aleancës ushtarake të NATO-s kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në luftën e Iranit. /Telegrafi/





