Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e Arian Gashi, ka mbajtur takimin e tij të jashtëzakonshëm, të 289-tin me radhë, në të cilin janë shqyrtuar çështjet e parapara sipas rendit të ditës.
Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të materialeve përkatëse, KPK ka marrë disa vendime, ndër to edhe dorëheqjen e prokurorit, Jeton Koca.
“Këshilli miratoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton Koca. Në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, KPK do t’i përcjellë Presidencës së Republikës së Kosovës propozimin për dekretimin e dorëheqjes së tij nga funksioni i prokurorit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se Këshilli miratoi dorëheqjen e anëtares së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Elza Bajrami-Kastrati, nga pozita e Zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim KPK themeloi Panelin Hetimor për shqyrtimin e një rasti disiplinor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Në përbërje të këtij paneli, të përzgjedhur përmes shortit, u caktuan: kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu- kryesues; prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Fatos Ajvazi- anëtar dhe prokurori në Prokurorinë Themelore në Gjilan, Arben Ismajli-anëtar. Ndërkaq, si anëtarë rezervë u caktuan: prokurorja në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ardita Hyseni dhe prokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë, Sanije Seferi”.
Kryesuesi i Këshillit, Arian Gashi, njoftoi anëtarët e KPK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga dy funksionet që ka ushtruar deri më tani, përkatësisht nga pozita e kryesuesit të Grupi punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të sistemit prokurorial për periudhën 2025-2027, si dhe nga pozita e kryesuesit të Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, pozita këto vakante, të cilat do të plotësohen në takimet e radhës së KPK-së. /Telegrafi/






