Shkëlqen “makazze”, NaVi e fiton trofeun e ESL Pro League

Natus Vincere e ka fituar trofeun e ESL Pro League, që është liga ma e fortë në botë për Counter Strike 2. Ylli kosovar Drin “makazze” Shaqiri dhuroi spektakël gjatë tërë turneut, ndërsa ishte kyç edhe në finalen ndaj Aurora, ku NaVi fitoi me rezulta...

Sport

Natus Vincere e ka fituar trofeun e ESL Pro League, që është liga ma e fortë në botë për Counter Strike 2.

Ylli kosovar Drin “makazze” Shaqiri dhuroi spektakël gjatë tërë turneut, ndërsa ishte kyç edhe në finalen ndaj Aurora, ku NaVi fitoi me rezultat 3-1 në mape.

Fillimisht, në “de_mirage”, NaVi arriti një fitore bindëse prej 13-7, ku më i dalluari ishte “w0nderful” me 21 eliminime, ndihmuar nga “makazze” me 15 sosh.

Sidoqoftë, në mapin e tyre të preferuar “de_anubis”, Aurora arriti të këndellet për të fituar me rezultat 13-11.

Megjithatë, pas asaj NaVi tregoi lojë krejtësisht tjetër. Fillimisht ishin fantastik në “de_nuke”, sidomos në CT-site, ku e lejuan skuadrën turke të fitonin vetëm një raund. Aty morën një triumf 13-8.

Ndërsa, në mapin që rezultoi të jetë i fundit – pra “de_dust2” arritën fitore me rezultat 9-13, ku lehtë mund ta mbyllnin sfidën më herët por bënë disa gabime të lehta.

Më i dalluari në “de_dust2” ishte vetë “makazze” që kompletoi plot 18 eliminime.

Kësisoj, NaVi me “makazze” e fitojnë trofeun e parë për vitin 2026, ndërsa pas disa javëve rikthehen prapë në “aksion” për ta synuar një tjetër trofe./Telegrafi/