Në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) është prezantuar draft-raporti për progresin e Serbisë në integrimin evropian, i përgatitur nga eurodeputeti Tonino Picula. Raporti thekson se rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është thjesht një proces teknik negociatash, por një provë reale e respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Dokumenti shpreh shqetësim për pavarësinë e gjyqësorit, presionin ndaj mediave, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve në Serbi. Ai gjithashtu vë në dukje se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një element kyç për procesin e integrimit evropian, ndërsa harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së mbetet një detyrim për çdo vend kandidat.

Ragmi Mustafi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka reaguar ndaj raportit, duke theksuar: “Për shqiptarët në Luginën e Preshevës, sfidat si pasivizimi i adresave, pengesat administrative, mosnjohja e diplomave dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm institucional janë çështje reale që duhet të adresohen sipas standardeve evropiane. Serbia nuk mund të pretendonte anëtarësim në BE pa zbatuar këto standarde në praktikë, jo vetëm në deklarata politike.”
Raporti gjithashtu rikujton rëndësinë e respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare dhe thekson se rruga drejt Evropës kalon përmes demokracisë, barazisë dhe respektimit të dinjitetit të çdo komuniteti.