Vinicius ka vendosur një rekord të padëshiruar pas penalltisë së humbur ndaj Man Cityt

Real Madrid mori një fitore të shkëlqyer 3-0 ndaj Manchester Cityt të mërkurën në mbrëmje, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve falë tre golave të Federico Valverde. Megjithatë, epërsia mund të kishte qenë edhe më e madhe përpara ndeshjes së kthimit në ‘Etihad’ javën e ardhshme.

Pjesën më të madhe të pjesës së dytë, Real Madridi ia kushtoi ndaljes së sulmeve të Manchester Cityt, por gjithsesi arriti të rrezikojë me kundërsulme. Rreth dhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Vinicius Junior u rrëzua në zonë nga portieri Gianluigi Donnarumma.


Braziliani, në mungesë të disa yjeve të skuadrës, mori përsipër ekzekutimin e penalltisë. Ai goditi ulët në të djathtë, por Donnarumma e lexoi saktë drejtimin dhe e priti goditjen, duke mbajtur gjallë shpresat e Cityt në këtë përballje.

Kjo mund të jetë një tregues i statistikave jo shumë të mira të Viníciusit nga pika e bardhë. Sipas raportimit të Mundo Deportivo, kjo ishte penalltia e katërt e humbur në 14 tentativa për Real Madridin.

Kjo e vendos përqindjen e realizimit të tij në 71.43%, që është më e ulëta për një ekzekutues të rregullt të penalltive te Real Madridi në shekullin 21, duke marrë në konsideratë vetëm lojtarët që kanë ekzekutuar të paktën 10 penallti.

Bazuar në këtë kriter, vetëm shtatë lojtarë, përfshirë Viniciusin, kanë ekzekutuar të paktën 10 penallti për Real Madridin në 26 vitet e fundit.

Rekordin më të mirë e mban Sergio Ramos me një përqindje realizimi prej 95.65%, pasi humbi vetëm një nga 23 penallti.

Pas tij renditen Karim Benzema me 27 gola nga 32 penallti (86.49%) dhe Cristiano Ronaldo me 79 gola nga 90 tentativa (87.78%).

Ndërkohë, Kylian Mbappe, i cili është ekzekutuesi kryesor i penalltive për Real Madridin këtë sezon kur është në formë, ka humbur gjithashtu katër penallti, por nga 23 tentativa, duke pasur një përqindje realizimi prej 82.61%./Telegrafi/