Aktakuzë ndaj një hetueseje policore në Prishtinë për keqpërdorim të informatës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një hetueseje policore me inicialet F.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas zhvillimit të hetimeve dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale.

Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura, në cilësinë e hetueses policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, ka keqpërdorur informata zyrtare në të cilat ka pasur qasje për shkak të detyrës së saj.

Sipas aktakuzës, ajo dyshohet se me kërkesë private të një miku të saj me inicialet A.P., dhe me qëllim që këtij t’i sigurohej përparësi që nuk i takojnë, është kyçur përmes llogarisë zyrtare në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës.

Në këtë mënyrë, ajo dyshohet se ka siguruar të dhëna personale dhe informata për të kaluarën kriminale të një personi me inicialet F.M.

Sipas Prokurorisë, këto të dhëna më pas janë dërguar nga e pandehura përmes rrjetit social WhatsApp tek personi A.P., i cili më pas i ka publikuar ato në një emision televiziv të datës 20 dhjetor 2025, me qëllim diskreditimin e të dëmtuarit.

Me këto veprime, F.B. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, sipas nenit 416 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria e Shtetit thekson se do të vazhdojë angazhimin në ruajtjen e sigurisë dhe rendit juridik në Republikën e Kosovës, duke luftuar dukuritë negative, me theks të veçantë në mbrojtjen e informacioneve konfidenciale që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. /Telegrafi/