Kuvendi dhe Qeveria angazhohen për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjeve për barazi gjinore

Me temën globale “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas ku u theksua rëndësia e avancimit të barazisë gjinore dhe mbrojtjes së të drejtave të grave në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat tregon nivelin e vlerave të tij. Ajo theksoi se të drejtat e grave janë rezultat i përpjekjeve dhe veprimit ndër vite.

Haxhiu shtoi se, megjithëse Kosova ka bërë përparim në barazinë gjinore, shumë gra ende përballen me dhunë, pabarazi ekonomike dhe pengesa në vendimmarrje e në tregun e punës, duke u zotuar se Kuvendi do të forcojë mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve.

“Mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat e tij është pasqyra më e ndershme e vlerës së atij vendi. Historia na ka mësuar se të drejtat e grave nuk janë dhuratë. Ato janë rezultat i veprimit… Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në ndërtimin e një kuadri ligjor për barazi gjinore, por realiteti na kujton se puna nuk përfundon me miratimin e ligjeve. Shumë gra vazhdojnë të përballen me dhunë në familje, me pabarazi ekonomike dhe me barriera në qasjen në vendimmarrje, por po ashtu edhe në tregun e punës. Si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotohem se do t’i fuqizoj mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare dhe do t’ua kujtoj institucioneve përkatëse përgjegjësinë që kanë në zbatimin e ligjeve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i gjithë këtij angazhimi është që progresi për të cilin flasim të bëhet i dukshëm, i prekshëm për vajzat dhe gratë e këtij vendi”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se drejtësia e barabartë është përgjegjësi e Republikës së Kosovës dhe se dhuna në baza gjinore nuk tolerohet.

Kurti tha se, gjatë mandatit të tij, fuqizimi i grave dhe i vajzave ka qenë prioritet konkret përmes politikave e buxhetit.

“Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. një demokraci nuk mund të jetë e fortë, nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar. Do të thotë tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore. Jo vetëm deklarata, por urdhra mbrojtje të zbatuara. Autorët e dhunës mbahen përgjegjës, të mbijetuarat mbështeten me ndihmë ligjore të qasshme dhe strehimore me mundësi ekonomike. Do të thotë ligje pune që garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë, kujdes shëndetësor që respekton dinjitetin e grave, dhe ligj për familjen që mbron barazinë. Si dhe institucione të drejtësisë të lira nga paragjykimi dhe nga ndikimi”, tha ai.

Se Kosova ka një traditë të fortë dhe të admirueshme të aktivizmit dhe lidershipit të grave, tha zëvendësshefja e Zyrës së EU në Kosovë, Eva Palatova.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë përparim, por ende mbeten sfida për të siguruar që gratë dhe vajzat të jetojnë pa dhunë dhe diskriminim.

“Avancimi i të drejtave të grave, sigurimi i mundësive të barabarta dhe mbrojtja e grave nga dhuna nuk janë vetëm prioritete sociale. Ato janë gjithashtu tregues të institucioneve të forta demokratike dhe të një shteti funksional të së drejtës. Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm gjatë viteve. Në të njëjtën kohë, mbeten sfida të mëdha, veçanërisht në sigurimin që të gjitha gratë dhe vajzat të jetojnë të lira nga dhuna dhe diskriminimi.Vendimet e fundit gjyqësore në Kosovë kanë dërguar sinjale të rëndësishme dhe pozitive në këtë drejtim”, tha ai.

Drejtoresh Ekzekutive ABGJ, Edi Gusia theksoi se sot, më shumë se kurrë, kur në botë po shihet një kthim prapa në agjendën e barazisë gjinore, është e nevojshme mbështetje e vazhdueshme dhe financim për këtë kauzë.

“Promovimi i agjendës së barazisë gjinore kërkon nga të gjithë ne përkushtim dhe angazhim të përditshëm për zbatimin e kornizës ligjore që garanton barazinë gjinore në mënyrë sistematike, me përgjegjësi dhe llogaridhënie. Sot, më shumë se kurrë, kur globalisht po përballemi me kthim mbrapa në agjendën e barazisë gjinore, kemi nevojë për mbështetje sistematike të rrugës së kësaj agjende. Kemi nevojë për riafirmim të gatishmërisë për mbështetje, inkurajim dhe financim të kësaj agjende. Fillimisht, duke u solidarizuar me njëra-tjetrën, duke u angazhuar për drejtësi gjinore e posaçërisht duke mbështetur organizatat e grave”, tha ajo. /KP/