Xhamia 500 vjeçare në Ferizaj që shërbeu si shkollë dhe si strehë për UÇK-në

Në fshatin Greme të Ferizajt ndodhet një nga xhamitë më të vjetra në Kosovë.

E njohur si “Xhamia e Gjelbër”, ky objekt fetar mbart një histori rreth 500-vjeçare dhe është dëshmi e shumë ngjarjeve historike që kanë shënuar jetën e komunitetit ndër vite.

E mbuluar nga ngjyra e gjelbër dhe me arkitekturë të veçantë, kjo xhami ka shërbyer jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si qendër e rëndësishme për arsimin dhe rezistencën gjatë periudhave të vështira për vendin.

Sipas imamit Halim Cakolli, xhamia ka luajtur rol të rëndësishëm gjatë viteve para luftës në Kosovë, kur shumë nxënës shqiptarë u larguan me dhunë nga shkollat nga forcat serbe.

“Prej para luftës e këndej kjo ka shërbyer si shkollë kur forcat serbe i kanë larguar me dhunë shumë nxënës nga shkolla për mos me mësuar. Por kjo e ka luajtur rolin e vet si shkollë në atë kohë. Shumë gjenerata janë shkolluar këtu”, ka treguar Cakolli për Tëvë1.

Ai thekson se kjo ishte e mundur falë përkushtimit të banorëve të fshatit dhe njerëzve që nuk lejuan ndërprerjen e procesit mësimor.

“Duke iu falënderuar atyre njerëzve që kanë pasur kureshtjen dhe forcën për mos me u ndal mësimi është bërë kjo. Edhe fshati ka pasur dëshirë që kjo xhami ta luajë rolin e vet edhe si shkollë, sepse xhamia ka edhe këtë rol – me i mësuar dhe edukuar njerëzit”, ka shtuar ai.

Gjatë luftës në Kosovë, xhamia u shndërrua edhe në një pikë të rëndësishme për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas Cakollit, objekti shërbeu si qendër dhe strehë për luftëtarët.

“Gjatë luftës ka qenë qendër e UÇK-së dhe njerëzit kanë qëndruar këtu, kanë bërë roje dhe gati se ka qenë pika përfundimtare ndërmjet fshatit, qytetit dhe malit. Sipas ushtarëve, shumë herë edhe forcat serbe kanë ardhur deri këtu, por kanë hasur në rezistencë dhe janë kthyer prapa”, rrëfen ai.

Megjithatë, pavarësisht rrethanave të luftës, xhamia ka arritur të mbijetojë deri në ditët e sotme, ndonëse ka kaluar edhe nëpër restaurime për shkak të dëmtimeve që ka pësuar nga koha.

Imami Cakolli kujton gjithashtu se në këtë xhami ka mbajtur edhe një nga ligjëratat e para si imam, gjatë kohës kur ishte student në Kajro.

“Kur kam qenë student në Kajro dhe kam ardhur në pushime verore, Këshilli i Bashkësisë Islame më kërkoi të mbaja një xhuma këtu, pasi imami ishte i sëmurë. Kam mbajtur dy ligjërata dhe për mua ishte një përvojë shumë e veçantë. Me i pri një xhamie kaq të vjetër është privilegj edhe para njerëzve, edhe para Allahut”, shprehet ai.

Sot, përveç në raste të veçanta, “Xhamia e Gjelbër” nuk është më në funksion të rregullt.

Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës, duke ruajtur kujtimet e brezave dhe të periudhave të rëndësishme të historisë së vendit.

– YouTube www.youtube.com