Haradinaj i reagon Pacollit për vendimin që mos të lejohen ndërtime pa leje në Bjeshkët e Nemuna

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka reaguar vendimit që nxori Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli që në Paraqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe Sharri” të ndalohet rreptësishtë çdo lloj ndërtimi pa leje.
Haradinaj ka thënë se kjo është një shkëputje totale e qeverisë nga largimi i realitetit. Ai ka thënë se ky vendim  është tregues që nuk e kanë njohur terrenin dhe pa kuptuar që aty jetojnë njerëz dhe kështu goditen edhe ekonomikë e tyre.
Postimi i plotë:
Shkëputja totale e kësaj qeverie në largim nga realiteti i qytetarëve të Kosovës është e thellë.
Vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti. Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale.  Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore.
Në vend që kjo perlë turistike e Kosovës të mbështetet me investime në rrugë, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe ta mbysin çdo mundësi zhvillimi. Ky është mentaliteti i një qeverie që në largim po lë pas vetëm pengesa, vendime të dëmshme dhe një pasqyrë të qartë të paaftësisë për të kuptuar nevojat reale të qytetarëve të saj.