Ekzistojnë shumë kamioneta të restauruara dhe të modifikuara, nga modelet C10 me motorë të mbingarkuar deri te Dodge Ram të pajisura me një sërë përmirësimesh. Megjithatë, projekti më i fundit i kompanisë amerikane Fat Fender Garage po tërheq vëmendje të veçantë.
Kompania, me seli në Arizona, prezantoi modelin GT/FX në panairin SEMA në Las Vegas. Bëhet fjalë për një Ford F-100 të vitit 1956, të modifikuar rrënjësisht, i cili ndërthur pamjen klasike të një kamionete me performancën dhe karakterin e një Ford Mustang GT modern.
Për realizimin e këtij projekti u deshën më shumë se 15 mijë orë punë, duke përfshirë projektimin, inxhinierinë dhe prodhimin e pjesëve të personalizuara, transmeton Telegrafi.
Nën kapakun e motorit ndodhet një motor V8 Ford Coyote 5.0 litra, i gjeneratës së tretë, i pajisur me një supermbushës Whipple prej 3.0 litrash. Ky konfigurim prodhon 800 kuaj-fuqi dhe 750 çift rrotullues, të cilat transmetohen në rrota përmes një kambie automatike Ford 10R80 me 10 shpejtësi.
Fat Fender Garage ka ndërtuar gjithashtu një sistem shkarkimi të personalizuar prej tre inçësh, me marmita Borla XR-1 Raceline, rezonatorë JMD dhe valvula elektrike që mundësojnë ndryshimin e rrjedhës së gazrave. Kapakët e personalizuar të valvulave i japin një tjetër element dallues hapësirës së motorit.
Karroceria prej çeliku është ripunuar gjerësisht me dorë. Çatia dhe kapaku i motorit janë rrafshuar, kabina është ulur me dy inç, ndërsa parafangot e përparme dhe të pasme janë zgjeruar për t’i dhënë kamionetës një pamje më të ulët dhe më të gjerë.
Pragjet anësore janë integruar me parafangot e pasme, ndërsa pjesa e përparme është pajisur me një hyrje ajri të prodhuar posaçërisht dhe ndarës aerodinamikë. Në pjesën e pasme është përshtatur edhe difuzori i një Ford Mustang Shelby GT350.
Interesant është fakti se grila origjinale është i vetmi element i madh i pjesës së jashtme që ka mbetur i pandryshuar.
Platforma e ngarkesës ka mure të dyfishta dhe zgjerime të veçanta, ndërsa dera e pasme hapet me shtypjen e një butoni. Ndër detajet e tjera përfshihen xhamat e përparmë dhe të pasmë të montuar në nivel me karrocerinë, xhamat anësorë njëpjesësh, pasqyrat prej fibre karboni dhe dritat LED të personalizuara.
Pjesa e jashtme është përfunduar me bojë të personalizuar BASF, ndërsa vijat sportive janë lyer dhe përpunuar me dorë nga vetë kompania. Pamjen e plotësojnë parakolpët, elementet dekorative dhe pjesët e tjera prej çeliku të pandryshkshëm, të trajtuara me veshje Cerakote.
Për të përballuar fuqinë e motorit, GT/FX është ndërtuar mbi shasinë FF1 Performance Coilover Chassis, që Fat Fender Garage e konsideron modelin e saj kryesor. Sipas kompanisë, kjo shasi është projektuar për t’i dhënë kamionetës klasike karakteristika drejtimi të ngjashme me ato të një supermakine moderne.
Sistemi i pezullimit është zhvilluar për të kontrolluar lëvizjet e karrocerisë, për të përmirësuar reagimin në kthesa dhe për të garantuar stabilitet gjatë përshpejtimit dhe frenimit.
Paketën e plotësojnë rrotat e personalizuara HRE, të pajisura me goma Toyo Proxes Sport 2.
Edhe kabina është rindërtuar tërësisht. Ajo ka një interier të zi me detaje prej lëkure cilësore, ulëse sportive të veshura posaçërisht dhe një panel të përparmë të mbështjellë me lëkurë.
Treguesit modernë dhe sistemi audio e sjellin teknologjinë në standardet bashkëkohore, ndërsa mekanizmat e personalizuar të dyerve dhe pajisjet e tjera të komoditetit i japin kabinës një ndjesi më luksoze. /Telegrafi/