Pas disa vitesh pjesëmarrjeje dhe fitoresh në turnetë e lojës elektronike FIFA të organizuar brenda vendit, Elias Krasniqi ka siguruar një mundësi të veçantë për të treguar aftësitë e tij edhe në arenën ndërkombëtare. Ai do ta përfaqësojë Kosovën në një garë që pritet të mbahet në Miami gjatë muajit janar, ku do të marrin pjesë lojtarë nga gjithsej 80 shtete të botës.
Krasniqi e fitoi këtë të drejtë përmes turneut të organizuar nga Red Bull në bashkëpunim me Xportal, ku triumfoi në finalen e madhe me rezultat 2-1.
Në një intervistë për Telegrafin, ai ka rrëfyer rrugëtimin e tij në lojën elektronike FIFA që nisi në vitin 2021, sukseset në turnetë e ndryshëm, mënyrën se si arriti të sigurojë biletën për në Miami dhe çfarë pret ai nga pjesëmarrja në këtë ngjarje madhore.
“Me FIFA-n kam filluar të luaj në vitin 2021. Fillimisht kam marrë pjesë në turne që organizoheshin në gaming center, ndërsa më vonë kam filluar të marr pjesë edhe në gara më profesionale, të organizuara nga Xportal. Gjatë kësaj kohe kam arritur të fitoj shumë turne, si në formatin 1v1, ashtu edhe në 2v2. Në secilën garë që kam fituar ka pasur edhe shpërblime monetare”, ka treguar Krasniqi.
Kosova ka kampionin e saj, Elias Krasniqi fiton turneun dhe siguron biletën për në SHBA
Sa i përket turneut të fundit, ai ishte organizuar nga Red Bull në bashkëpunim me Xportal dhe kishte për qëllim të përfshinte studentë nga universitete të ndryshme. Kualifikimi u zhvillua përmes garave të hapura online, ndërsa dy vende ishin të rezervuara për lojtarët që siguronin Wildcard.
Krasniqi arriti të kualifikohej përmes këtij formati, pasi fitoi një turne që i siguroi pjesëmarrjen në Nations Finals.
“Në këtë turne kanë marrë pjesë studentë nga universitetet. Ka pasur kualifikim të hapur online dhe disa Wildcards. Unë jam kualifikuar përmes Wildcard, ku e kam fituar një turne për të siguruar pjesëmarrjen në Nations Finals. Në total jemi kualifikuar tetë studentë, gjashtë përmes online dhe dy përmes Wildcard-ave”, ka shpjeguar ai.
Në Nations Finals, Krasniqi e nisi garën nga faza e 1/16 së finales, ku ndeshjet zhvilloheshin në formatin BO3, ndërsa modaliteti i lojës ishte Kick Off. Ai pati një rrugëtim të suksesshëm deri në finale, duke fituar tri ndeshjet e para me rezultat 2-0.
Fillimisht mposhti Ylli Dragushën, më pas Aid Preniqin në çerekfinale, ndërsa të njëjtën ecuri e vazhdoi edhe në gjysmëfinale. Finalja ishte më e vështirë siç e pëshkruan ai, por Krasniqi në fund ia arriti të triumfojë.
“Në ndeshjen e parë e mposhta Ylli Dragushën me rezultat 2-0. Pastaj Aid Preniqin në çerekfinale, po ashtu 2-0. Kam vazhduar me të njëjtën tempo edhe në gjysmëfinale, ku fitova përsëri 2-0. Në finale pata pak më shumë vështirësi, por arrita të fitoj 2-1. Golin e fitores e shënova rreth minutës së 85-të”, ka rrëfyer Krasniqi.
Ndryshe nga turnetë e tjerë ku kishte triumfuar, këtë herë shpërblimi nuk ishte monetar. Fituesi siguronte një biletë për në Miami, ku do të ketë mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në garën ndërkombëtare të lojës elektronike FIFA.
“Ndryshe nga turnetë e tjera, në këtë garë nuk kishte shpërblim monetar për fituesin, por çmimi ishte një biletë për të shkuar në Miami dhe për ta përfaqësuar Kosovën kundër 79 shteteve të tjera, pra 80 shteteve në total”, ka thënë ai.
Udhëtimi pritet të realizohet në janar, ndërsa gara do të zhvillohet në një format që Krasniqi e përshkruan si një lloj Kampionati Botëror.
“Në Shtetet e Bashkuara pritet të shkoj në janar dhe do të zhvillohet si një lloj Botërori, ku do të marrin pjesë 80 shtete. Personalisht ndjej një entuziazëm të paparë për këtë aventurë që më pret dhe pres që ta përfaqësoj Kosovën sa më mirë që është e mundur”, përfundoi ai./Telegrafi/