Bruno Fernandes ka dalë publikisht në mbështetje të trajnerit të Manchester Unitedit, Michael Carrick, pas përmbysjes dramatike dhe fitores ndaj Romës në Ligën e Kampionëve. Mesfushori portugez pranoi se trajneri kishte pasur të drejtë ta linte në stol në ndeshjet e fundit, pas kritikave të tij publike ndaj taktikave të skuadrës.
Fernandes ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 3-2 të Unitedit ndaj Romës. Skuadra angleze arriti të përmbyste disavantazhin prej dy golash, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh pa fitore.
Portugezi zhvilloi një nga paraqitjet më të mira të sezonit, duke shënuar nga penalltia dhe më pas duke asistuar për golin e barazimit të Matheus Cunhas. Ky triumf lehtësoi presionin mbi skuadrën, e cila po kalonte fillimin më të dobët të një sezoni që nga viti 1986.
Pas ndeshjes, Fernandes foli hapur për marrëdhënien e tij me Carrickun dhe komentoi vendimin e trajnerit për ta lënë në stol, duke hedhur poshtë spekulimet për një përçarje mes tyre.
“Ka qenë e vështirë, ka pasur shumë spekulime në media. Shumë gënjeshtra për gjëra të ndryshme që kanë ndodhur mes meje dhe trajnerit. Ne i kemi sqaruar gjërat mes nesh, ndërsa më pas trajneri mori vendimin të më linte në stol, sepse nuk po performoja mirë”, deklaroi Fernandes.
“Shumëkush mendoi se kjo ishte një ndëshkim për fjalët që kisha thënë. Nëse ishte kështu, atëherë ishte i drejtë. Trajneri është ai që merr vendimet”, shtoi mesfushori.
Dalin pamjet e papublikuara të incidentit mes Carrickut dhe Cunhas pas kartonit të kuq ndaj Romës
Ai theksoi se kjo situatë nuk e ka ndryshuar besimin e tij te Carricku, stafi teknik dhe bashkëlojtarët.
“Kjo nuk e ndryshon besimin që kam te trajneri, stafi dhe çdo lojtar i këtij klubi. Gjithashtu, nuk e ndryshon synimin tim për të fituar çdo ndeshje që më pret përpara”, përfundoi portugezi./Telegrafi/