Asambleja Parlamentare e NATO-s ka vlerësuar se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë duhet të shoqërohet me progres politik, forcim të institucioneve demokratike dhe rritje të besimit ndërmjet komuniteteve.
Në një komunikatë pas një misioni faktmbledhës në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor, parlamentarët e NATO-s kanë theksuar se, ndonëse situata e sigurisë është përmirësuar, tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë të Kosovës.
Gjatë vizitës, anëtarët e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë për synimin e Kosovës për të thelluar integrimin euroatlantik dhe për të kontribuar më shumë në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.
Sipas komunikatës, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë prezantuar prioritetet strategjike në fushën e mbrojtjes, përfshirë rritjen e investimeve, prokurimin, rekrutimin, si dhe forcimin e trajnimit dhe ndërveprueshmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës me forcat aleate.
Anëtarësimi në NATO, siç thuhet, mbetet një prioritet strategjik i Kosovës, ndërsa gjatë takimeve është theksuar edhe mbështetja e vazhdueshme politike dhe praktike e vendit për Ukrainën.
Delegacioni ka vizituar edhe Shtabin e KFOR-it, ku ka shqyrtuar zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe rolin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Asambleja Parlamentare ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të KFOR-it, duke u bazuar në kushtet në terren dhe përmirësimin e situatës së sigurisë. Megjithatë, ky proces nuk nënkupton heqjen dorë nga aftësia për të përshtatur praninë e trupave në rast të përkeqësimit të situatës.
KFOR-i, sipas komunikatës, vazhdon të ketë rol thelbësor në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Përveç zhvillimeve në fushën e sigurisë, parlamentarët e NATO-s kanë vënë në pah rëndësinë e përparimit politik, duke theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë rajonal.
Në këtë drejtim, ata kanë nënvizuar se përparimi në procesin e normalizimit dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese do të jenë vendimtarë në periudhën e ardhshme.
Asambleja Parlamentare e NATO-s ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të avancojë reformat politike, të forcojë institucionet demokratike dhe t’u afrohet më shumë aspiratave euroatlantike.
Ndër prioritetet e identifikuara gjatë vizitës janë forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare, llogaridhënia institucionale dhe rritja e besimit te komunitetet joshumicë. Kjo e fundit, sipas parlamentarëve, kërkon mbrojtje efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrje politike dhe qasje në shërbimet publike.
Delegacioni i përbërë nga anëtarë të Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike dhe Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s, gjatë qëndrimit në Prishtinë, është takuar edhe me ministra, udhëheqës parlamentarë të partive të shumicës dhe pakicës, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, zyrtarë të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.