Nga një gol në tetë muaj te gjashtë në dhjetë ndeshje, Albian Ajeti po përjeton rilindje në Zvicër

Sport

Albian Ajeti po përjeton një periudhë të shkëlqyer te FC Lugano, ku ka rigjetur formën dhe instinktin e golashënuesit pas muajve të vështirë të kaluar te Baseli. Sulmuesi shqiptar ka realizuar gjashtë gola në dhjetë ndeshje me skuadrën e re, duke qenë mesatarisht i përfshirë në një gol çdo 60 minuta. Një ndryshim i jashtëzakonshëm […]

Madhësia e shkronjave

Albian Ajeti po përjeton një periudhë të shkëlqyer te FC Lugano, ku ka rigjetur formën dhe instinktin e golashënuesit pas muajve të vështirë të kaluar te Baseli.

Sulmuesi shqiptar ka realizuar gjashtë gola në dhjetë ndeshje me skuadrën e re, duke qenë mesatarisht i përfshirë në një gol çdo 60 minuta. Një ndryshim i jashtëzakonshëm për 29-vjeçarin, i cili nga janari deri në fund të gushtit kishte shënuar vetëm një gol për Baselin, shkruan Blick.ch.

Trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti, arriti t’i rikthejë vetëbesimin sulmuesit, i cili në momentin e transferimit ishte në një periudhë shumë të vështirë.

Albian Ajeti, sulmues i Luganos

Ish-trajneri zbulon çelësin e suksesit të Ajetit

Për periudhën e vështirë të Ajetit ka folur edhe Thomas Haberli, ish-trajneri i tij te ekipi U21 i Baselit, i cili e njeh mirë karakterin dhe potencialin e sulmuesit.

“Albianit i duhet besim dhe një marrëdhënie e afërt me trajnerin. Ai është shumë i orientuar drejt familjes dhe e mat performancën e tij kryesisht përmes golave që shënon”, ka deklaruar Haberli.

Nën drejtimin e tij, Ajeti kishte realizuar 23 gola, më shumë sesa me çdo trajner tjetër në karrierën e tij.

Haberli kujton se sulmuesi iu bashkua ekipit të tij në moshën 16-vjeçare dhe gjithmonë kishte ambicie të mëdha për të arritur në ekipin e parë.

Te Baseli, situata ishte krejtësisht ndryshe. Pas fitimit të titullit kampion, Ajeti u përball me kritika të vazhdueshme për paraqitjet e tij si sulmuesi kryesor i skuadrës, ndërsa marrëdhënia me trajnerin Stephan Lichtsteiner u përkeqësua. Kjo e shtyu të kërkonte një ambient të ri.

Festa e Albian Ajetit

Ajeti mund të bëhet golashënuesi më i mirë

Haberli beson se Ajeti nuk i ka humbur asnjëherë cilësitë e tij dhe se tani ka mundësinë të rikthehet në nivelin që kishte treguar në fillimet e karrierës.

Ai madje e sheh të mundshme që sulmuesi shqiptar të përfundojë në krye të listës së golashënuesve në kampionatin zviceran.

Si shembull përmend Haris Tabakovicin, i cili arriti të shpërthente në moshën 28-vjeçare.

Ajeti, i cili në të kaluarën ishte transferuar nga Baseli te West Hami për rreth 12 milionë franga zvicerane, kishte provuar më pas aventurat te Celtic dhe Augsburg, por pa arritur të krijonte vazhdimësi në nivelet më të larta.

Tani, te Lugano, ai duket se ka gjetur ambientin e duhur për të rilindur.

“Besoj se tashmë e ka marrë vendimin e duhur duke ardhur te Lugano”, ka përfunduar Haberli.

Thomas Haberli, ish-trajneri i Albian Ajetit te ekipi U21 i Baselit

Interesant pritet të jetë edhe dueli i radhës ndaj ish-klubit të tij, Baselit, ku Ajeti mund të ketë mundësinë të përballet nga minuta e parë me skuadrën që nuk arriti t’ia nxirrte më të mirën. /Telegrafi/

Komentet