Rigon Llugiqi po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Prishtinën, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi.
Pas një periudhe të vështirë, të kushtëzuar nga një lëndim serioz, 23-vjeçari është rikthyer fuqishëm dhe tashmë është një prej pikave më të rëndësishme të mesfushës bardhekaltër.
Truri i skuadrës së Orges Shehit
Nëse Dren Zeqiri dhe Arijanit Fazlija përfaqësojnë muskujt e Prishtinës, Llugiqi është truri i kësaj skuadre.
I vendosur para dy mbrojtësve, ai është ideatori i lojës, lojtari që dikton ritmin, e rrit ose e ul tempin sipas nevojave të ekipit dhe shpeshherë të jep përshtypjen e një futbollisti me shumë më tepër përvojë sesa mosha e tij.
I transferuar në vitin 2024 nga Ramiz Sadiku, mesfushori nuk dallohet vetëm për organizimin e lojës dhe qetësinë me topin, por edhe për kontributin në rikuperimin e tij.
Pikërisht ky kombinim e ka vendosur në mesin e mesfushorëve më të dalluar të këtij sezoni, jo vetëm te Prishtina, por në gjithë Superligën e Kosovës.
Lëndimi nuk e ndali rikthimin e tij
Rëndësia e tij për skuadrën vërehet edhe te minutat e zhvilluara. Nga 11 ndeshjet e kampionatit këtë sezon, Llugiqi ka munguar vetëm në një, atë kundër Vushtrrisë në kuadër të xhiros së katërt.
Kjo mungesë erdhi pas një lëndimi në kyçin e këmbës, të cilin e pësoi në ndeshjen e javës së tretë ndaj Llapit, ku luajti vetëm 45 minuta.
Problemet fizike u shfaqën sërish në përballjen me Drenicën, në javën e pestë, kur u detyrua ta lëshonte fushën në minutën e 19-të.
Megjithatë, në tetë ndeshjet e tjera, mesfushori i ka zhvilluar të gjitha 90 minutat, duke dëshmuar se është një prej lojtarëve të pazëvendësueshëm në formacionin e Orges Shehit.
45 ndeshje me fanellën bardhekaltër
Para se t’i bashkohej Prishtinës, përveç aventurës te Ramiz Sadiku, Llugiqi kishte provuar edhe futbollin zviceran, ku ishte pjesë e Yverdon Sportit. Që nga ardhja te klubi kryeqytetas, ai ka regjistruar gjithsej 45 paraqitje dhe ka shënuar dy gola.
Rikthimi i tij në këtë nivel është një lajm i rëndësishëm për Prishtinën, e cila po zhvillon një sezon pozitiv.
Pas 11 xhirove, bardhekaltërit kanë grumbulluar 26 pikë dhe renditen në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me lideren Malisheva.
Në këtë garë, kontributi i Llugiqit në zemër të mesfushës po dëshmohet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Në moshën 23-vjeçare, ai është shndërruar në një prej lojtarëve që i japin identitet lojës së Prishtinës. /Telegrafi/