Bashkimi ka vazhduar formën pozitive në Superligën e Kosovës në basketboll, duke regjistruar fitoren e gjashtë të sezonit pas triumfit ndaj Vëllaznimit me rezultat 93:80.
Skuadra prizrenase doli fituese nga përballja e së shtunës mbrëma, e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ku vendasit nuk arritën ta ndalnin ekipin mysafir.
Ndeshja nisi me rivalitet të fortë, pasi të dyja skuadrat zhvilluan një pjesë të parë të baraspeshuar. Megjithatë, Bashkimi e rriti ritmin në vazhdim dhe arriti të ndërtojë epërsinë që i siguroi fitoren me 13 pikë diferencë.
Divine Myles udhëhoqi prizrenasit me një paraqitje të spikatur, duke regjistruar 23 pikë dhe nëntë asistime, krahas një kërcimi.
Kontribut të rëndësishëm dha edhe Shanon Shorter, i cili e përfundoi ndeshjen me 17 pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.
Te Vëllaznimi, Kentrell Pullian ishte basketbollisti më efikas, me 27 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.
Me këtë fitore, Bashkimi e çon bilancin sezonal në gjashtë fitore dhe një humbje, ndërsa Vëllaznimi regjistron humbjen e gjashtë, duke mbetur me vetëm një fitore./Telegrafi/