Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri”, ku është diskutuar për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe avancimin e arsimit shqip në mesin e fëmijëve shqiptarë në Austri.
Sipas një njoftimi të Ambasadës së Kosovës në Austri, takimi u mbajt më 24 tetor, ku i Ngarkuari me Punë, Albinot Bimbashi, së bashku me diplomatët Valon Krasniqi, Dhurata Selimi dhe Marigonë Vrajolli, pritën kryetarin e Shoqatës, Osman Ademi, si dhe disa mësimdhënës shqiptarë, shkruan Telegrafi.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit, rëndësinë e rritjes së numrit të nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, si dhe nevojën për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies.
Ambasada bëri të ditur se vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së arsimit në gjuhën amtare, si një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
“Me këtë rast, përfaqësuesve të Shoqatës iu dorëzuan libra shkollorë për klasat I–IX, të dedikuar për nxënësit shqiptarë në Austri”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Në takim morën pjesë edhe mësimdhënësit Ibrahim Hasanaj, Miradije Berisha, Lumturie Bytyqi, Ina Arapi, Feride Aradini dhe Besa Morina.
Mbështetja e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë mbetet një nga çështjet me rëndësi për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj./Telegrafi/