E ardhmja e stadiumit legjendar “San Siro” po merr gjithnjë e më shumë formë, pas prezantimit të projektit për stadiumin e ri “Generali”, i cili do të bëhet shtëpia e përbashkët e Milanit dhe Interit. Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te fati i impiantit historik “Giuseppe Meazza”.
Sipas raportimeve të Calciomercato, puna për rrënimin e stadiumit aktual nuk pritet të nisë para vitit 2031, kur stadiumi i ri do të ndërtohet pranë tij. Procesi i demolimit parashihet të zgjasë rreth dy vjet dhe pritet të përfundojë në vitin 2032 ose 2033.
Megjithatë, “San Siro” nuk do të zhduket tërësisht. Sipas projektit, do të ruhen vetëm një pjesë e tribunës “Curva Sud”, që përkon me sektorin blu, si dhe një pjesë e tribunës portokalli. Këto pjesë do të formojnë një strukturë të pazakontë në formë të shkronjës “L”.
Pjesët e tjera të stadiumit do të shndërrohen në hapësira për zyra dhe aktivitete komerciale.
Projekti parasheh gjithashtu hapësira të gjelbra dhe dyqane në një sipërfaqe prej rreth 5.000 metrash katrorë, me objekte që do të shfrytëzohen nga të dy klubet.
Një tjetër çështje që po shqyrtohet nga Milani dhe Interi lidhet me ulëset e stadiumit. Sipas propozimit aktual, 60.654 nga gjithsej 75.817 ulëset mund t’u dhurohen ose t’u shiten tifozëve.
“Generali Stadium”, shifrat dhe marrëveshja për të drejtat e emërtimit të stadiumit të ri të Milanit dhe Interit
Kostoja e parashikuar e rrënimit të “San Siros” arrin në 127 milionë euro. Procesi do të nisë me largimin e instalimeve teknike, kabllove dhe turnikeve, për të vazhduar më pas me çmontimin e trarëve të famshëm të kuq dhe strukturave prej betoni të armuar.
Edhe pse pjesa më e madhe e stadiumit historik pritet të zhduket, segmentet që do të ruhen do të mbeten si një kujtim simbolik i një prej impianteve më ikonike të futbollit italian./Telegrafi/