Operatorët e rrjetit elektrik në Kosovë kanë marrë pjesë në një trajnim treditor për analizimin e kapaciteteve të rrjetit dhe identifikimin e kufizimeve që mund të ndikojnë në integrimin e energjisë së rinovueshme.
Zgjerimi i energjisë së rinovueshme në Kosovë kërkon jo vetëm investime në prodhimin e energjisë elektrike, por edhe përgatitjen e rrjetit për të përballuar kapacitetet e reja. Në këtë drejtim, operatorët e rrjetit elektrik në vend kanë marrë pjesë në një seminar treditor kushtuar analizës së kapacitetit pritës për integrimin e energjisë së rinovueshme.
Seminari është organizuar në bashkëpunim me GET.transform dhe është fokusuar në vlerësimin e kapaciteteve të rrjeteve të shpërndarjes për të përcaktuar se në cilat pjesë të sistemit elektrik mund të lidhen kapacitete të reja të prodhimit, veçanërisht nga energjia diellore.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit janë angazhuar në ushtrime praktike dhe shkëmbim përvojash, duke modeluar rrjetet elektrike, analizuar rrjedhat e energjisë dhe identifikuar kufizimet që mund të paraqiten gjatë integrimit të burimeve të reja të prodhimit, transmeton Telegrafi.
Këto njohuri dhe aftësi synojnë të ndihmojnë operatorët në marrjen e vendimeve më të informuara për lidhjen e kapaciteteve të reja në rrjet, si dhe në planifikimin afatgjatë të sistemit elektrik të Kosovës.
Aktiviteti është pjesë e projektit të zbatuar nga GIZ-i, i cili mbështet Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik Kosovë-Gjermani.
Projekti përkrahet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet krijimi i kushteve më të mira për integrimin e energjisë diellore dhe burimeve të tjera të rinovueshme, duke kontribuar në zhvillimin e një sistemi elektrik më të qëndrueshëm dhe më të përgatitur për tranzicionin energjetik./Telegrafi/