Një kompani gjermane dhe një ukrainase e sektorit të mbrojtjes kanë testuar një robot tokësor të armatosur për t’u përdorur nga forcat ukrainase; sistemet e para pritet të integrohen dhe të dorëzohen deri në fund të vitit 2026.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua në fillim të tetorit, gjatë vizitës së kancelarit gjerman Friedrich Merz në Kiev, në prani të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Deri në fund të vitit 2026, mjetet e para robotike të pajisura me modulet e reja të armatimit pritet të jenë gati për t’u vendosur në terren dhe për t’u dorëzuar, në përputhje me nevojat e forcave të armatosura të Ukrainës, përcjell Telegrafi.
Si funksionon sistemi i ri
Ai njihet me emrin GEREON.
I ndërtuar nga kompania ARX Robotics, ky mjet pa ekuipazh ofron lëvizshmëri dhe fuqi, si dhe mund të kryejë misione zbulimi përmes kamerave dhe sensorëve.
Mjeti mund të pajiset me modulin e armatimit SABER – të prodhuar nga kompania ukrainase ROBONEERS – i cili montohet në pjesën e sipërme dhe ofron mbështetje zjarri me telekomandë, duke shërbyer si për operacione sulmuese, ashtu edhe për ato mbrojtëse.
Sipas kompanive, kjo u mundëson ushtarëve ta operojnë sistemin nga një distancë më e sigurt.
Versionet pa armatim të GEREON-it tashmë po përdoren në Ukrainë për detyra të ndryshme.
Ato mund të transportojnë furnizime, të evakuojnë personelin e plagosur, të mbështesin luftën elektronike, të kryejnë zbulim dhe të kundërveprojnë ndaj dronëve.
Por platforma mund të përshtatet gjithashtu për misione luftarake.
Kompanitë theksojnë se qëllimi është krijimi i një sistemi robotik fleksibël, i cili mund të përshtatet shpejt për misione të ndryshme në vijën e frontit.
Moduli i armatimit SABER është gjithashtu i personalizueshëm, duke u lejuar ushtarëve të montojnë armë të ndryshme në varësi të misionit – nga pushkët e deri te hedhësit e granatave.